Kosova e Serbia mund të mos dialogojnë deri në vjeshtë

11.03.2017 11:32:21

Raund të ri të dialogut në nivelin më të lartë midis Beogradit dhe Prishtinës, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë deri në vjeshtë.

Deri te shtyrja e bisedimeve nuk do të vijë për shkak të Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për pezullimin e dialogut derisa të anulohen të gjitha urdhër-arrestet serbe kundër shqiptarëve, por për shkak të procesit zgjedhor presidencial në Serbi.

Aktualisht në Serbi është duke u zhvilluar fushata për zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 2 prill.

Përvoja nga e kaluara tregon se Brukseli nuk ka iniciuar takime në nivelin më të lartë gjatë fushatës zgjedhore, edhe pse më pas janë mbajtur raunde të bisedimeve teknike, shkruan “Novosti”.

Ndërsa, shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar një betejë tjetër të Serbisë në vjeshtë lidhur me Kosovën.

Ai ka thënë se në vjeshtë Serbinë e pret beteja për mbrojtjen e integritetit të saj territorial, duke pasur parasysh se Kosova sërish do ta riaktualizojë kërkesën për anëtarësim në UNESCO.