Kosova feston “Orën e Tokës”

Kosova feston “Orën e Tokës”

25.03.2017 20:47:54

Ngjarja e përvjetshme globale e njohur si “ Ora e Tokës”, që manifestohet me fikjen e dritave, me qëllim të sensibilizimit të opinionit për rëndësinë që ka kursimi i energjisë në mbrojtjen e mjedisit, do të festohet edhe në Kosovë për herë të tetë.

Ky organizim do të mbahet sonte në Sheshin “Nëna Terezë”, ku do të ketë aktivitete të ndryshme. Ngjarja kryesore e këtij eventi, fikja e dritave dhe ndezja e qirinjve, do të fillojë nga ora 20:30 deri në orën 21:30.

Besa Sadiku, koordinatore e Shoqatës Ekologjike “Eko Viciana”, ka treguar për aktivitetet e shumta të cilat do të mbahen gjatë këtij organizimi, si lexim i eseve, poezi, vizatime etj.

“Prej orës 20:00 do te fillojë edhe programi qendror i kësaj ngjarje, ku do të ketë të ftuar ambasadorë, do të ketë të ftuar nxënës nga Shkolla Fillore “Ismail Qemajli”, nga Grupi i Gjelbër, ku do të prezantojmë ndonjë poezi, ese, ose ndonjë vizatim, që e kanë bërë për këtë ditë”, ka treguar ajo për KosovaPress.

Ajo ka deklaruar se ngjarja kryesore e këtij organizimi, i cili manifestohet në më shumë se 170 shtete të botës, do të jetë fikja e dritave duke filluar nga ora 20:30 deri në orën 21:30

“Po ashtu edhe ngjarja kryesore e këtij eventi është që prej orës 20:30, kur fillon edhe fikja e dritave, atëherë do të fillojmë edhe ndezjen e qirinjve, duke e bërë numrin 60 plus. Me qirinj të ndezur, do të ndezim edhe disa  xixëllonja me atë rast, që të duken më bukur dhe fikja e dritave do të vazhdojë deri në orën 21:30”, ka thënë ndër të tjera.

Shënimi i Orës së Tokës në Kosovë, po realizohet në saje të punës vullnetare të ambientalistëve dhe dashamirësve të mjedisit nga “Eko Viciana”.

Koordinatorja ka treguar se kjo ngjarje është paraparë të zgjerohet edhe në vende të tjera, por për shkak të mungesës së donacioneve nuk është mundur të realizohet.

“Për shkak të mungesës së donacioneve, sepse shoqata jonë punon në mënyrë vullnetare, nga xhepi i jonë i paguajmë të gjitha shpenzimet që na shkojnë, kemi kërkuar donacione, por nuk na ka ndihmuar askush, kështu që me ato pak mjete që kemi pasur mundësi do ta bëjmë. Nuk kemi pasur mundësi ta zgjerojmë edhe në ndonjë qytet tjetër, sepse kemi menduar që këtë vit ta zgjerojmë edhe  në Mitrovicë, por për shkak të mjeteve nuk kemi arrite ta realizojmë”, sqaroi ajo për KosovaPress.

Organizuesit e “Orës së Tokës”, në qytetin e Prishtinës, edhe këtë vit i ftojnë qytetarët që të jenë pjesë e kësaj ngjarjeje.