Kosova filloi me reciprocitet, refuzimi i Nikoliqit kundërpërgjigje për arrestimin e Haradinajt

05.01.2017 18:51:54
Qeveria e Kosovës ia ka refuzuar sot lejen për hyrje në Kosovë presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikoliq.

Sipas ekzekutivit kosovar, arsye e këtij refuzimi është sjellja e vazhdueshme konfliktuoze e zyrtarëve të lartë serbë.

Një refuzim i tillë ka bërë që të gjitha mediat në Serbi të raportojnë në kohë reale.

Sipas këtyre mediave, Nikoliq nesër në mëngjes do t’i drejtohet opinionit publik dhe do të njoftojë për arsyet e “anulimit të vizitës në Kosovë”, transmeton lajmi.net.

Më herët, mediat serbe si arsyetim kinse të anulimit të vizitës së Nikoliqit në Kosovë kanë dhënë “maltretimin” e bashkëpunëtorëve të Nikoliqit në kufirin Kosovë-Serbi, duke i lënë të presin gjatë pa ndonjë arsye.

Megjithatë, burime të lajmi.net thonë se refuzimi i lejes për Nikoliqin lidhet drejtpërdrejt me arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.

Më herët gjatë ditës, Nikoliq kishte thënë se “nëse e kalon Merdaren, në Kosovë do të jetë i sigurt po aq sa janë të sigurt serbët që jetojnë atje”.