Kryetari i Deçanit refuzon të jetë pjesë e komisionit për matjen e territorit

05.01.2017 19:03:11
Kryetari i Deçanit, Rasim Selmanaj e ka refuzuar vendimin e kryeministrit, Isa Mustafa që ai të jetë pjesë e komisionit të ri qeveritar për matjen e territorit.

“E konsideroj gabim politik dhe të dëmshëm për vendin të pranoi të jam anëtar i një komisioni për matjen e territorit të Kosovës siç e keni menduar ju dhe qeveria e Kosovës!”, ka shkruar Selmanaj në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas tij, nuk është problemi te matja e territorit, por te shënimi i vijës kufitare me Malin e Zi.

“Prandaj ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë vetëm e atyre vendimeve që e rishikojnë demarkacionin me Malin e Zi, pra versionin aktual i cili tashmë dihet se është bërë gabim. Do ta mirëpresim çdo vendim për ta ndryshuar versionin e tashëm i cili e dëmton territorin e shtetit të Kosovës!”, ka shkruar në fund Selmanaj.