Kosova ka nevojë për Lider e jo për injorantë që ndjekin propagandën e rekrutëve shqiptarë të agjenturave kundërshqiptare

04.04.2018 11:00:40

Nga Rexhep Kastrati

Është për keqardhje kur sheh injorantët e parashutuar në politikë se si u bëjnë jehonë propagandave kundërshtetërore dhe kundërkombëtare edhe lidhur me çështjen gyleniste! Aq më keq, kur në këtë kurth kanë rënë edhe disa injorantë-parashutistë brenda e rreth LDK-së që as idenë më elementare të shtebërjes dhe të liderizmit nuk e kanë. E populli ka nevojë për Lider që e udhëheqin me maturi, urti dhe me përgjegjshmëri të lartë, e jo për dofarë injorantësh që ndjekin turmën e lënë në mëshirën e agjenturave kundërshqiptare që ua bën propagandën dhe ua shpërlan trurin! Unë i kuptoj se shumica syresh janë vetëm vegla pune të Kadri Veselit dhe të tjerëve, dhe ai ua ka dredhur fort sa nuk po bëjnë më ciu-ciu, por megjithatë askush nuk është i privilegjuar dhe me të drejtën që të bëjë çka të dojë, të deklarojë çka të dojë dhe të mos mbajë përgjegjësi për to.

Presidenti Rugova do t’ua bënte me dorë që të mos flisnin më shumë se po e fëlliqin krejt, sepse presidenti Rugova është munduar të bëjë aleatë edhe ata që tradicionalisht kanë qenë aleatë të Serbisë, të krijojë miq gjithandej, e jo që të prishë miqësi dhe aleanca! Kosova nuk mund të demokratizojë Turqinë, nuk mund t’ia përcaktojë axhendat e saj gjeopolitike, por Kosova mund të ndërtojë marrëdhënie mbi bazën e atyre që i bashkon, e jo mbi bazën e atyre që i ndan, sepse në këtë mënyrë, mbetet pa asnjë aleat, ashtu siç ka qenë gjatë historisë, kur edhe sakatohej në njerëz, dhe sakatohej në territor.

Kosova gjatë viteve është treguar shumë problematike lidhur me investimet e huaja, pra edhe në çështje të privatizimit, pasi që ka favorizuar komapni turke, ka favotizuar investimet turke në xhami, por është sjellë shumë keq dhe në mënyrë të papërgjegjshme ndaj komapnive të shteteve perëndimore, duke mos përjashtuar as kompani të gjeneralëve, diplomatëve dhe zyrtarëve të tjerë të SHBA-ve, të Gjermanisë etj.

Nuk është faji i Turqisë pse Kosova i ka mundësuar asaj ndërtime xhamish, pasi që po të mos i lejonte Kosova, ansjë xhami nuk do të ndërtohej. Në anën tjetër, kompani të fuqishme janë refuzuar, janë kushtëzuar dhe u është vënë haraç, për çka janë detyruar të shkojnë në shtete të tilla si Serbia, Maqedonia etj.

Në anën tjetër, po këta injorantë parashutistë që kanë rënë në kurhtin e propagandës së rekrutëve shqiptarë të agjeturave kundërshqiptare, harrojnë se në krye të lëvizjes gyleniste është një personalitet fetar që udhëheq një ideologji shkombëtarizuese dhe që helmon brezat e rinj në Kosovë.

Kosova ka shumë nevojë për marrëdhënie të mira me Turqinë edhe si aleat strategjik, edhe si shtet me potencial të madh ekonomik, ushtarak dhe me pozitë të fuqishme gjeopolitike e gjeostrategjike. Sjellja e saj në rajonin tonë, raportet e saj me Rusinë dhe çështje të tjera që nuk varen nga Kosova, nuk ka pse jenë arsye për cenim të marrëdhënieve me Turqinë, sepse asnjë anëtar i NATO-s nuk është duke cenuar marrëdhëniet me të.