Kosova me pesë yje

09.04.2018 13:40:16

Kosova është “larë” me ar gjatë fundjavës që shkoi. Pesë medalje, prej tyre katër të arta dhe një të argjendtë, do t’i sjellin në Kosovë xhudistet kosovare, të cilat i fituan gjatë eksperiencave të tyre në Turqi e në Gjermani. Nora Gjakova, Distria Krasniqi e Loriana Kuka u shkëlqyen me ar në “Grand Prix Antalya 2018”, derisa Fjolla Kelmendi ishte e argjendtë. Kurse Erza Muminoviq e fitoi të artën në Kupën Evropiane për kadetë në Berlin. Këto suksese trajnerin Driton Kuka e kanë çuar në qiellin e shtatë

 

Xhudoja vazhdon ta mbajë stafetën si sporti më i suksesshëm i Kosovës. Xhudistet kosovare e kanë kaluar një fundjavë të jashtëzakonshme, duke e “larë” vendin e tyre në ar.

Katër medalje, prej tyre tri të arta dhe një të argjendtë, ato i kanë rrëmbyer në Turqi, respektivisht në turneun prestigjioz “Grand Prix Antalya 2018” dhe një tjetër të artë në Kupën Evropiane për kadetë, që është mbajtur në Berlin të Gjermanisë. Pa dyshim, kjo ishte njëra prej fundjavave më të suksesshme të xhudos kosovare viteve të fundit.

Loriana kompleton të artat e Antalyas

Loriana Kuka e ka vazhduar suksesin e shoqeve të skuadrës, duke e fituar medaljen e artë të dielën. Xhudistja pejane, e cila e kishte lënë jetën në Zvicër për t’u transferuar në Kosovë, e ka mposhtur në finale ukrainasen Anastasya Turchin me Ippon në kategorinë -78 kilogramë.

Paraprakisht në xhiron e parë ajo e kishte eliminuar turken Sidika Isik, ndërsa në atë të dytë ishte më e mirë se britanikja Natalie Powell. Në gjysmëfinale Kuka e mundi rusen Niurguiana Nikiforova.

Suksesi i garueseve kosovare kishte nisur të premten, kur ato i rrëmbyen tri medalje në Antalya. Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi u flakëruan me medalje të artë, kurse Fjolla Kelmendi bëri befasi të dorës së parë, duke shkuar për herë të parë në një finale të madhe, përmes së cilës e fitoi medaljen e argjendtë. Kurse, Leutrime Kryeziu është eliminuar herët, qysh në xhiron e parë nga kazakja Sevara Nishanbayeva.

Erza e artë, Fationa eliminohet në Kupën Evropiane në Berlin

Antalya nuk ishte qyteti i vetëm i medaljeve për Kosovën. Në fakt, xhudoja kosovare shkëlqeu edhe në Gjermani. Në Kupën Evropiane për kadetë, që u mbajt në Berlin, Erza Muminoviq e ka fituar medaljen e artë në kategorinë -44 kg. Xhudistja pejane e ka mposhtur në finale gjermanen Jule Ziegler.

Deri tek e arta Erza erdhi pas katër luftërave të fituara, derisa rrethin e parë e kaloi pa luftë. Të gjitha kundërshtaret Muminoviq i fitoi me Ippon. Erza është kandidate për medalje në lojërat olimpike për të rinj “Buenos Aires 2018”.

Ndërsa garuesja tjetër kosovare Fationa Kasapi u eliminua më herët. Ajo e kaloi rrethin e parë pa luftë në kategorinë -57 kg, kurse në atë të dytë e eliminoi rusen Kseniia Soloveva. Por, u dorëzua në rrethin e tretë përballë britanikes Darcie Hancocks, shkruan më tutje “Zëri”.

Akil Gjakova mbetet pa medalje

Akil Gjakova nuk ka mundur ta ndjekë rrugën e shoqeve të skuadrës për të fituar medalje në “Grand Prix” të Antalyas. Xhudisti pejan u mposht në çerekfinale të kategorisë -73 kilogramë nga koreani Changrim Ann.

Akili më pas u ndal edhe në repasazh nga Mohamad Mohammadi i Iranit, duke mbetur pa medalje të bronztë. Paraprakisht Akili i kishte fituar dy luftëra, ndaj Bektur Rysmambetov nga Kirgistani dhe ndaj Behrudi Khojazoda nga Taxhikistani.

Kuka, i lumtur me sukseset

Trajneri Driton Kuka është shprehur i lumtur me sukseset e jashtëzakonshme që i arritën garueset e tij në Turqi dhe në Gjermani.

“Dy shtete të forta, Turqia dhe Gjermania po njoftohen me rininë tonë të fortë shqiptare. Çfarë fundjave nga nxënësit e mi”, ka shkruar fillimisht trajneri i suksesshëm në rrjetet sociale.

Ai i është gëzuar medaljes që e fitoi të dielën mbesa e tij, Loriana Kuka. “‘Grand Prix Antalya’ – Kupa Botërore, medalja e katërt për Kosovën! Më në fund një pasardhëse imja. Mbesa ime, më bëre krenar. Kosova, ekipi më i mirë në Kupën Botërore”, ka shtuar ai.

Kuka i është gëzuar edhe suksesit të Erzës në Berlin, por ka qenë i kënaqur edhe me paraqitjen e Akil Gjakovës në Antalya, ani pse xhudisti pejan nuk arriti të fitonte medalje.