Aksidenti me 3 viktima në Fier, mes tyre një vajzë franceze (EMRAT)

09.04.2018 13:46:45

Një aksident i rëndë i ndodhur në aksin Levan-Tepelenë tronditi mëngjesin e sotëm opinionin publik, teksa pamjet që tregonin nxjerrjen nga kanali ku kishte rënë mjeti tip “Suzuki” i trupave të tre viktimave i shokuan të gjithë.

Dyshimet dhe paqartësia që shoqëruan raportimin e ngjarjes për disa orë tashmë kanë marrë fund, pasi janë zbuluar emrat dhe gjinia e personave që humbën jetën në këtë aksident tragjik.

Mësohet se drejtuesi i mjetit ishte 32-vjeçari Fisnik Murataj, nga fshati Kute i Mallakastrës, ndërsa pasagjeri tjetër ishte një i afërm i tij, Agustin Xhaxhaj, 30-vjeç.

Ndërkohë vajza pasagjere, trupi i së cilës kishte përfunduar jashtë makinës, është shtetase franceze dhe e fejuara e Fisnik Murataj. Ajo quhet Nazia Aham, është 34-vjeçe dhe dyshohet se mjeti është në pronësi të saj.

Tre viktimat e këtij aksidenti tragjik jetonin në Greqi, ndërsa mësohet se ishin duke u kthyer nga një dasmë, kur me makinën me targa IHZ1755 kanë dalë jashtë rrugës gjatë orëve të mbrëmjes.