Kosova ndihmohet nga Kroacia për menaxhimin e integruar të kufirit

29.07.2016 16:31:06

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga ministrja për Dialog, Edita Tahiri, së bashku me përfaqësuesit e policisë dhe doganës, BE-së dhe UNOPS qëndroi dje në Kroaci për një vizitë studimore për IBM, me ç’rast ka vizituar pikë kalimin kufitar Bajakovo.

Kjo vizitë është realizuar me qëllim të marrjes së përvojave të planifikimit dhe funksionimit të pikë kalimeve kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë pasi që Kosova tashmë është në proces të ndërtimit të pikë kalimeve të përhershme me shtetin fqinjë Serbinë, si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për IBM.

Minstrja për Dialog, në takim me autoritetet kroate në këtë pikë kalim kufitar ka shprehur kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Kroacisë si dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e menaxhimit të integruar të kufirit, duke qenë se Kroacia tashmë është një vend anëtar i BE-së.

Ajo ka njoftuar se Kosova po bënë përgatitjet finale për ndërtimin e pikë kalimeve të përhershme kufitare me shtetin fqinjë Serbinë, në bazë të marrëveshjes së Brukselit, dhe se kjo vizitë ka karakter studimor nga e cila do të merren përvojat e Kroacisë në këtë fushë. Ministrja Tahiri gjatë këtij takimi shtoi se ndërtimi i këtyre pikë kalimeve të përhershme kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ofron mundësinë e një kontrolli më të mirë kufitar si dhe avancimin dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave sipas parimeve të IBM-it, transmeton Klan Kosova.

Autoritetet kroate shprehën kënaqësi dhe gatishmëri për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e menaxhimeve kufitare.