Kosova përgatitet për të rikandiduar në UNESCO

26.10.2016 22:09:25

Kosova është duke i bërë të gjitha përgatitjet për të kandiduar prapë për anëtarësim në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara (UNESCO), konfirmojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, transmeton Gazeta Monitor.

Përkundër se është duke u punuar në këtë drejtim, ende nuk është dihet data e saktë kur do të bëhet aplikimi. Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj ka thënë për Gazetën Monitor, se ka ende kohë deri në vendimin përfundimtar për të aplikuar në UNESCO.

“Interesimi i Republikës së Kosovës për tu perafruar, apo për të qenë anëtare e organizatave dhe agjensioneve ndërkombëtare, ëeshtë synim legjitim shtetëror. Ka ende kohë deri në vendimin përfundimtar për të aplikuar në UNESCO, pra ende nuk eshte vendosur”, ka thënë Murtezaj..

Ai ka bërë me dije se institucionet e Republikës së Kosovës janë duke punuar në shume arena, për të ndërtuar një dokumentim adekuat të nevojshem për secilin aplikim potencial.

“Një qasje të koordinuar ndërsektorale, hartim i dokumenteve strategjike të nevojshme, aspekte legjislative, koordinim dhe menaxhim kohor adekuat, ëeshtë duke u aplikuar”, ka thënë ai.

Ndryshe, më 9 nëntor të vitit 2015, Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë. Kosova nuk arriti të sigurojë votat e më shumë se dy të tretave të vendeve anëtare të kësaj organizate, të cilat ishin të nevojshme për pranimin e saj në UNESCO.