Kosova synon marrëveshje ekonomike me Serbinë pa prezencën e ekspertëve të fushës

04.09.2020 10:37:21

Në Uashington po mbahen takimet mes palës kosovare dhe asaj serbe. Në Prishtinë janë ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me përbërjen e delegacionit të Kosovës.

Edhe pse kryeministri Hoti është me formim ekonomik, mirëpo njohës të çështjeve politike po kritikojnë ekzekutivin për mungesë të ekspertëve të ekonomisë në delegacion meqë në Uashington thuhet se po diskutohet kryesisht për marrëveshje të kësaj fushe.

Po ashtu, edhe për nga numri i pjesëmarrësve thuhet se është i lartë.

“Qeveria e Kosovës do të prezantojë projekte të mëdha infrastrukturore dhe energjetike që kontribuojnë në zhvillimin dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë, por që ndikojnë në integrimin më të mirë të Kosovës në tregun regjional dhe evropian”, ka thënë ndër të tjera shefi i ekzekutivit nga Uashingtoni.

Atje nga e hëna, përveç tij, po qëndrojnë edhe zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj e Albulena Balaj.

Gjithashtu pjesë e delegacionit janë edhe ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ai Infrastrukturës, Arban Abrashi, ajo e Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj dhe koordinatori për dialog Skënder Hyseni e shefja e kabinetit të kryeministrit, Ardita Dushi.

Emir Abrashi nga “Demokracy Plus” po e konsideron të panevojshëm pjesëmarrjen e dy zëvendëskryeministrave të Kosovës në delegacion.

“Të panevojshëm e shoh faktin e përfaqësimit të dy zëvendëskryeministrave në këtë dialog, meqenëse pjesëmarrja e kryeministrit mendoj që është e mjaftueshme. Në anën tjetër, meqenëse po bëhet fjalë për dialog ekonomik atëherë nuk e kuptoj pse duhet të marrin pjesë në këtë delegacion edhe përfaqësues të dikasterve të cilat nuk janë të ndërlidhura me ekonominë”, thotë ai.

Sipas tij, nuk është problematik numri i zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës që janë pjesë e delegacionit, por që ai do të duhej të zëvendësohej me ekspertë të ekonomisë, meqë atje po thuhet se diskutohet për çështjet e kësaj fushe.

“Delegacioni aktual është kryesisht delegacion politik, përbërje politike, nuk ka ekspertë të ekonomisë meqenëse do të jetë temë diskutimi çështjet ekonomike, ani pse vet kryeministri është profil ekonomik, megjithatë mendoj që është dashur të jenë edhe përfaqësues të botës së biznesit pjesë e delegacionit i cili do të trajtojë këto çështje me rëndësi”, thotë ai.

Ndërsa analisti Faton Abdullahu kritikon qeverinë edhe për numrin e zyrtarëve që kanë udhëtuar për në Shtëpinë e Bardhë.

“Është numër i madh dhe nuk ka pasur nevojë pse të jetë, përkundër rëndësisë që ka ky takim, por si duket kjo ka ndodhur jo për shkak të prirjes që të jenë më të përgatitur atje por për shkak të prirjes për t’i amortizuar hatërmbetjet e këtij koalicioni i cili që një kohë të gjatë është i përçarë brenda vetës së tij që shkakton probleme edhe për qeverinë edhe për proceset që po ndodhin. Sepse, duke u munduar t’i amortizojë këto hatërmbetje ta marrim këtë se nuk bën, është i këtij subjekti, ka mbetur ky delegacion pa ekspertë të ekonomisë”, thotë ai.

Sipas tij, ekspertë të ekonomisë është dashur të jenë të pranishëm meqë në Shtëpinë e Bardhë përpjekjet do të bëhen për arritjen e marrëveshjeve ekonomike.