KQZ njofton se në të gjitha komunat e Kosovës janë shpërndarë materialet zgjedhore

16.10.2021 15:43:47

Kryeshefi i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjitha komunat e Kosovës.

Ahmetaj tha se tashmë janë duke i bërë kontrollet e fundit. “Të gjitha materialet janë shpërndarë në të gjitha komunat e territorit të Republikës së Kosovës dhe tani jemi duke i bërë kontrollet e fundit, në mënyrë që në rast se ndonjë material mungon, të mund t’i përkrahim të gjitha komunat”, u shpreh Ahmetaj.

Ai tha gjithashtu se kanë pranuar 5 mijë e 649 pako të supozuara me fletëvotime.

“Votimi jashtë vendit ka nisur më 15 shtator u mbyllë më 15 tetor. Janë pranuar 5,649 pako të supozuara me fletëvotime, të gjitha janë tërhequr nga posta zyrtare, qendrat tranzitore dhe postat e tjera të shpejta”, ka thënë ai.

Ndryshe, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, e cila do të shpërndahet në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, përmban: 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021.