KQZ vendos, pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë

KQZ vendos, pesë ditë fushatë zgjedhore në Podujevë

23.10.2020 11:16:21

foto arkivi

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) sot ka vendosur që fushata zgjedhore në Podujevë të jetë pesë ditë, nga 23 deri më 27 nëntor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se me 9 vota për dhe me dy kundër u votuan afatet kohore.

“Fushata zgjedhore është vendosur që të mbahet nga data 23 nëntor dhe përfundon më 27 nëntor, që i bie 5 ditë. 9 vota për dy kundër. Afatet do të publikohen në ueb faqen tonë”, ka thënë ajo.

Kundër afatit prej pesë ditësh ishte anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi i cili tha se fushata më e gjatë zgjedhore është në të mirë të qytetarit për shkak të situatës pandemike.

Ai tha se e mira e fushatës zgjedhore në afat më të gjatë kohorë është se qytetarët mund të mblidhen në tubime më të vogla dhe kështu nuk rrezikohen dhe nga infektimi me COVID-19.

“Nuk shoh objektiva ligjore që të shkurtohen afatet ligjore. E vetmja e mirë e fushatës së gjatë është se lejohen tubimet më të vogla për shkak të pandemisë. Në një fushatë zgjedhore KQZ dhe PZAP kanë mundësi t’i përcjellin aktivitete zgjedhore. Nuk mund ta pranoj një plan operacional që  shkurton afatet kohore”, ka thënë Kurteshi.

Por, Arianit Elshani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se afati kohor prej pesë ditësh është i pranueshëm.

“Duke u bazuar në diskutimet publike, gjashtë muaj rresht është mbajtur fushatë në Podujevë. Është zhvilluar një fushatë në Podujevë në mars, dhe prej marsit e tutje ajo fushatë ka vazhduar të zhvillohet, siç po thonë. A është pesë apo dhjetë ditë nuk ka ndonjë rol. Deri tek pesë ditë afat është i pranueshëm edhe për qytetarët dhe për partitë politike”, ka thënë ai.

Ndryshe, komuna e Podujevës kishte mbetur pa kryetar Agim Veliu kishte dhënë dorëheqje pas emërimit ministër i Brendshëm. Zgjedhjet në këtë komunë ishin paraparë të mbahen më 15 mars, por për shkak të pandemisë COVID-19, Thaçi, pati vendosur t’i shtyjë ato.