Krasniqi: Ne duhet ti nderojmë ata që dhanë jetën për pavarësinë e Shqipërisë dhe Kosovës

28.11.2016 13:30:38

Kryetari i Këshillit të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, thotë se 28 Nëntori është një datë me rëndësi të veçantë për shqiptarët, që na kujton shumë data të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

“28 Nëntori na kujton shumë data të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar. Nëntori i Gjergj Kastriotit Skënderbeu, pastaj nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindja e komandantit legjendar, dalja në skenë publike e UÇK-së”, ka thënë Krasniqi sot gjatë homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ai tha se familja Jashari dhe komandanti legjendar Adem Jashari e shumë dëshmorë të tjerë, dhanë më të shtrenjtën për Pavarësinë e Kosovës.

Krasniqi theksoi se në këtë ditë duhet nderuar ata breza që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë Shqipërisë dhe Kosovës.