Krasniqi në Hagë: Nuk ndjehem fajtor, e as përgjegjës për asnjë pikë...

Krasniqi në Hagë: Nuk ndjehem fajtor, e as përgjegjës për asnjë pikë të aktakuzës

09.11.2020 13:15:37

Ka përfunduar seanca e parë gjyqësore në Hagë ndaj ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi është deklaruar si i pafajshëm për krimet që pretendon Specialja.

“Unë nuk ndjehem fajtor e as përgjegjës për asnjë pikë të aktakuzës. Nuk jam fajtor për asnjë krim”, tha ai.

Krasniqi në seancën e parë gjyqësore në Hagë ka thënë se asnjëherë në jetën e tij nuk ka trajtuar njerëz siç u trajtua ai.

“Së pari, dua të them këtu se unë jam arrestuar më 4 nëntor 2020 në aktakuzë po na quani ndërmarrje e përbashkët kriminale, por dua të deklaroj sot se kurrë në jetën time në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit as kaq sa e si më trajtuat mua nga ndërtesa e burgut deri në këtë ndërtesë”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se nuk ka qenë qëllimi i tij trajtimi i njerëzve, por lufta kundër okupatorit që kaq bërë krime në Kosovë.

“Ishim dhe jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese. Ndërmarrje e përbashkët kriminale janë jo vetëm serbët në Serbi, por edhe koka e saj në Beograd dhe mbështetësit e politikave të Beogradit”, u shpreh Krasniqi.

“Në aktakuzë përpiqeni të ndani shqiptarët në katolik dhe mysliman, unë jam shqiptar s’jam as katolik as mysliman dhe kjo për mua është fyese, e po ashtu edhe për vendin tim”, tha më tej Krasniqi.