Krasniqi premton mbështetje për fermerët e Rahovecit

17.01.2017 14:00:48
Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në një takim kryetarin e Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, me të cilin ka biseduar për Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural për vitin 2017 dhe për skemat e mbështetjes, përmes të cilave ai tha se synojnë zhvillimin e mëtejmë të sektorit në mbarë vendin.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, e ka njoftuar kryetarin më hollësisht për masat mbështetëse të këtij viti, përmes të cilave ai tha se do të gjejnë mbështetje edhe fermerët e Komunës së Rahovecit.

Ministri, po ashtu e ka njoftuar kryetarin se në sektorin e vreshtarisë dhe verëtarisë, më të cilët fermerët e kësaj komune janë të njohur, do vazhdojnë të japin përkrahje edhe më të madhe  dhe sipas tij kjo përkrahje e ministrisë ndër vite e ka përmirësuar gjendjen në këta sektor, duke e bërë njërin ndër sektorët më të qëndrueshëm në vend, thuhet në komunikatën e MBPZHR-së.

Nga ana e tij, kryetari i Rahovecit dhe ish- ministri i Bujqësisë, Idriz Vehapi, e falënderoi ministrin për gatishmërinë për përkrahjen e mëtejmë të sektorit të bujqësisë në këtë komunë.

Po ashtu, kryetari e njoftoi ministrin për projektet zhvillimore që planifikojnë t’i realizojnë si komunë gjatë këtij viti, me qëllim të mbështetjes së fermerëve për zgjerimin dhe rritjen e veprimtarive të tyre bujqësore.