Krasniqi: Veseli nuk është kandidati final, nesër PAN-i e konstituon Kuvendin

02.08.2017 11:21:22

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka zbuluar se Kadri Veseli nuk është kandidati final i PAN-it për kryetar të Kuvendit.

Sipas Krasniqit, përkundër faktit se Veseli është kandidati më i përshtatshëm për këtë pozitë, vetëm nesër do të merret vesh kush nga koalicioni PAN do të kandidohet.

Megjithatë ai ka thënë se cilido që do të jetë kandidati i PAN-it, ai do të votohet për kryetar të Kuvendit.

 

“Nuk e thash që Kadri Veseli do të jetë kandidati ynë final, megjithëse është i duhuri dhe ka mbështetjen e plotë të PDK-së. Ne shpresojmë që të jetë ai mirëpo në politik asnjëherë nuk i dihet. Megjithatë, nesër do të konstituohet Kuvendi dhe kandidati i PAN-it do të zgjidhet për kryetar, këtë ua garantoj”, ka thënë Krasniqi, transmeton zeri.info.

Më tutje, Krasniqi ka thënë se nesër do të përfundoj pjesa e paqartësive politike dhe numrave. “Nesër konstituohet Kuvendi dhe i hapet rrugë krijimit të qeverisë, e cila ka shumë punë për të bërë për shkak të punëve të pakryera në dy vitet e kaluara”, ka thënë ai.