“Ne nuk kemi njoftuar për asnjë takim dhe deri më tani nuk është planifikuar asnjë takim në mes të Tillersonit dhe presidentit”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Tillerson është zyrtari më i lartë i SHBA-së që udhëton në Rusi, që prej se Donald Trump u zgjodh president. Ai pritet që më 12 prill të takohet me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.
Vizita e Tillersonit vjen në kohën kur raportet SHBA-Rusi janë përkeqësuar që prej sulmit me raketa të SHBA-së ndaj një baze ajrore siriane, të cilin, SHBA e kreu në kundërpërgjigje ndaj sulmit me armë kimike mbi civilët sirianë.
Peskov ka thënë se aksionet e SHBA-së kanë treguar mungesën totale të vullnetit për të bashkëpunuar për Sirinë, dhe ka përsëritur thirrjet se largimi nga pushteti i presidentit sirian, Bashar al-Assad nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e krizës.
Rusia ka mbështetur Assadin, në luftën civile gjashtëvjeçare, që ka lënë të vdekur mbi 300 mijë persona.