Kritika të rralla të Koresë Veriore ndaj Kinës

03.05.2017 17:03:42

Mediat shtetërore të Koresë Veriore kanë publikuar sot kritika të rralla për Kinën, duke thënë se komentet e mediave shtetërore të Kinës që bëjnë thirrje për sanksione më të ashpra ndaj Puongyang për shkak të programit të tij bërthamor janë duke i minuar marrëdhëniet me Pekinin dhe duke i përkeqësuar tensionet.

Një shkrim i publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë Veriore, KCNA, iu referua komenteve më të fundit të gazetave të përditshme “China’s People’s Daily” dhe “Global Times”, për të cilat ka thënë se janë shumë të njohura si media që flasin për qëndrimin zyrtar të partisë dhe qeverisë kineze.

“Një varg komentesh absurde dhe të pakujdesshme tash mund të dëgjohen nga Kina çdo ditë vetëm sa për ta bërë edhe më të tensionuar situatën tashme të keqe,” ka shkruar KCNA.