Kriza e Katalonjës ndikon negativisht në ekonominë e Spanjës

17.10.2017 16:31:46
“Qeveria e Spanjës e ka zvogëluar nga 2,6 për qind në 2,3 për qind parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2018”

Kriza e Katalonjës pas përpjekjeve për pavarësimin e rajonit autonom në verilindje të Spanjës ka filluar të ndikojë negativisht në ekonominë e Spanjës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në raportin dërguar Bashkimit Evropian lidhur me planifikimin buxhetor, qeveria e Spanjës ka ngelur e detyruar t’i zvogëlojë parashikimet e rritjes ekonomike për vitin 2018. Sipas agjencisë spanjolle të lajmeve EFE, qeveria e Spanjës e ka zvogëluar nga 2,6 për qind në 2,3 për qind parashikimin e rritjes ekonomike për vitin 2018.

EFE po ashtu ka shkruar se pritet ngadalësim në intensitetin e uljes së shkallës së papunësisë nga ana e qeverisë, duke shtuar se “kërkesa e brendshme”, e cila cilësohet si shtytësi kryesor i Spanjës për dalje nga kriza, do të përjetojë “ngadalësim serioz” në viti 2018. Pritjet për rritjen e kërkesë së brendshme për vitin 2018 janë ulur nga 2,4 për qind në 1,8 për qind.

Nga ana tjetër, qeveria spanjolle ka njoftuar se deficiti buxhetor do të jetë 3,1 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) në fund të vitit 2017 dhe 2,3 për qind në vitin 2018.