Krizë në koalicion, Ruçi: Me ose pa LSI-në, do të futemi në zgjedhje

28.03.2017 16:04:31

Partia Socialiste ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit, pavarësisht nga kërcënimet e opozitës për bojkot.

Por përveç kësaj, PS nuk i ka idetë e qarta se çfarë do të vendosë aleati i saj kryesor në qeveri. Megjithatë, kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Gramoz Ruçi, ka deklaruar se me, ose pa LSI, PS do të hyjë në zgjedhje.

Gjatë shpërndarjes së lejeve të legalizimit në fshatin Libofshë të Fierit, Ruçi ka thënë se vullneti i mazhorancës është që të vazhdojë të qeverisë me aleatët edhe në 18 qershor.

“Partia Socialiste është e vendosur të hyjë në zgjedhje, me ose pa LSI-në, ne do të futemi në zgjedhje si forcë fitimtare. Edhe pse ne kemi shprehur vullnetin të vazhdojmë të qeverisim me aleatët, nga LSI-ja nuk është vendosur akoma se çfarë do të bëjnë në zgjedhje”.

Sa i takon qëndrimit të opozitës për bojkot të zgjedhjeve, Ruçi ka nënvizuar se “ata e kanë marrë përgjigjen nga SHBA-të dhe Merkeli”.