Moti i keq, plani me 10 masa i Bashkisë së Tiranë për të përballuar situatën e të ftohtit

05.01.2017 19:14:50

Nën drejtimin e kryebashkiakut, Erion Veliaj u mbajt sot mbledhja e parë e Shtabit të Emergjencave të Bashkisë Tiranë për të përballuar situatën e përkeqësuar të motit që në orët në vijim mund të prekë edhe Tiranën. Në fjalën e tij para këtij anëtarëve të shtabit, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se është misioni i këtij shtabi , jo vetëm të informojë publikun, por edhe të sigurohet që në çdo rast shërbimet e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të tjera të emergjencës të jenë aty prezente.

“Dua t’i garantoj të gjithë qytetarët që ne po marrim çdo masë, po përdorim çdo mjet, me stafin tonë të burimeve njerëzore në terren, gjatë gjithë turneve të natës, sidomos në 4-5 ditët e ardhshme. Vëmendje të veçantë do ta kemi veçanërisht atyre që kanë nevojë më shumë mbështetje, që janë persona në kushte rruge, ata që janë të moshuar, pa një ndihmë dhe që jetojnë ndoshta të vetmuar, për faktin se jetojnë fëmijët në emigracion ose për rrethana të tjera”, tha Veliaj. Më tej ai bëri të ditur edhe planin e masave që janë marrë për përballimin e kësaj situate ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve që situata e pritshme të mos ketë pasoja së pari në jetë njerëzish dhe së dyti në pronën e qytetarëve.

Për këtë ai theksoi se janë marrë masa që çdo qytetar i Tiranës të jetë i sigurt dhe të ketë një strehë të ngrohtë kur të arrijë ky i ftohtë polar, ndërsa kërkoi që çdo qytetarë të ndihmojë fqinjin e rrezikuar dhe të njoftoi në numrin e gjelbër të bashkisë 0 8000 888, si dhe zjarrfikësit në numrin 112 për çdo emergjencë.

Më konkretisht, duke folur për planin e masave të marra në kuadër të kësaj situate, Veliaj theksoi se ka urdhëruar sot që të jenë të hapura 24 orë të 24 njësitë administrative të Bashkisë Tiranë, për të ofruar mundësi strehimi dhe ngrohje për qytetarët ne nevojë.

Ai bëri të ditur se në rast nevoje do të përdoren të gjitha kopshtet, shkollat, madje pallati i sportit apo edhe konviktet e nxënësve dhe të studentëve, duke qenë se ende nuk ka filluar ende shkolla.

Madje Veliaj bëri të ditur se gjithashtu e hapur për të gjithë qytetarët në nevojë dhe që preken nga kjo situatë do jetë edhe selia e Bashkia e Tiranës, përfshi ambientet e zyrës së tij si dhe zyra e Këshillit Bashkiak
Kryebashkiaku bëri të ditur se janë siguruar batanije, veshje të ngrohta, dru dhe lëndë djegëse për të gjithë ata qytetarë që janë strehuar në qendrat e emergjencës së Bashkisë Tiranë, kryesisht në zonën e Shkozës, zonën e Tufinës, në zonën e Bregut të Lumit.

Po ashtu do të jenë të hapura për të gjithë qendrat sociale, që në mënyrë ditore i shërbejnë njerëzve në nevojë dhe që ndodhen në Kombinat, Laprakë, Shkozë, si dhe ajo tek stacioni Trenit.

Ndërkohë që grupet e punonjësve socialë dhe të Policisë Bashkiake do të patrullojnë në terren për t’u kujdesur sidomos për fëmijët dhe për të rriturit në situatë rruge dhe për tu krijuar atyre lehtësira zhvendosje në një nga strehët më të afërta, qoftë në Bashkinë e Tiranës, qoftë në një nga 24 njësitë, në shkollë, në kopsht apo në konvikt.

Nga ana tjetër për të patur një koordinim më të mirë të gjitha strukturave të gjithë administratorët janë urdhëruar që të mbledhin të gjithë ndërlidhësit dhe kryepleqtë në mënyrë që të bëhet  një identifikim paraprak, kryesisht të atyre që janë persona me aftësi të kufizuar ose të moshuar që jetojnë të vetmuar, si dhe që jetojnë pa asistencë për të cilët do të krijohet një database.

Gjithashtu janë marrë masat që ndërmarrjet e Bashkisë, sidomos në zonat e thella të Tiranës, të bëjnë shpërndarjen e kripës në rrugë si dhe vendosjen e të gjithë ekskavatorëve në pikat kryesore ku dhe priten problem.

Kryebashkiaku Veliaj i bëri thirrje gjithashtu qytetarëve që të jenë bashkëpunues dhe të evitojnë në maksimum lëvizjet në të ftohtë, aktivitetet e rënda fizike që shkaktojnë djersitje dhe që më pas përfundojnë në hipotermi.

Gjithashtu ai ka kërkuar që të shmangen lëvizjet dhe ekskursionet drejt malit të Dajtit për shkak të rrugëve të bllokuara dhe ngricës.

“I lus të gjithë qytetarët që të njoftojnë shërbimet tona të emergjencës, Policinë e Shtetit apo urgjencën në numrin 112 nëse shihni njerëz në nevojë apo në një situatë hipotermie që paraqesin shenja si dridhje apo kapitje, konfuzion, mungesë artikulimi apo marrje mendsh, njerëz dhe qytetarë që mund t’i hasni në rrugë dhe mund t’i ndihmoni vetëm me një telefonatë”, bëri thirrje Veliaj.

Ai ka kërkuar gjithashtu ndihmën edhe të atyre që shërbejnë nëpër bare dhe lokale, që nëse kanë klientë që janë në situatë alkoolizimi ose kanë konsumuar mbi normën, të njoftojnë policinë ose strukturat bashkiake per te evituar daljen e tyre në të ftohtë.