Kroacia premton vazhdimin e përkrahjes për FSK në të gjitha fushat

13.02.2020 15:08:01

Ministri i Mbrojtjes Anton Quni, priti sot në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Danijela Barišić.

Quni shprehu mirënjohje për Republikën e Kroacisë, për përkrahjen e ofruar deri më tani në ndërtimin, zhvillimin dhe avancimin e gjithmbarshëm të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.

Mbështetjen e ofruar për zhvillimin e kuadrove profesionale me shkollimet dhe trajnimet në qendrat specialistike dhe akademinë ushtarake të ofruar në vazhdimësi, ministri Quni e vlerësoi me rëndësi dhe impakt të lartë në realizimin e aftësive dhe kapaciteteve operacionale të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-së siç është edhe Kroacia me forcat e armatosura të saj.

Ministri Quni e njoftoi ambasadoren edhe me procesin e implementimit të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, duke ritheksuar se ky proces, si deri më tani, do të realizohet në transparencë të plotë dhe përputhje me kornizën kohore të planifikuar si dhe në bashkëpunim dhe koordinim të plotë me vendet partnere.

Ndërkaq, ambasadorja Barišić, falënderoi për pritjen dhe uroi Ministrin Quni për detyrën e re dhe premtoi se Kroacia si një vend mik i Kosovës, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë të ndihmojë dhe mbështesë Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në në të gjitha fushat dhe komponentët e tyre në mënyrë që të përmbushë me sukses të plotë synimet e tyre, respektivisht procesin e tranzicionit sipas planit përkatës.

“Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në funksion të integrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtar të sigurisë dhe mbrojtjes në funksion të plotë për garantimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.