Kronologjia e rasteve të helmimeve në Rusi

23.08.2020 16:07:18

Është hera e dytë që Aleksie Navalny dyshohet së është helmuar nga autoritetet ruse, meqë shihet si kundërshtar i hapur i Kremlinit zyrtar

Gjatë 20 vjetëve të pushtetit të presidentit rus, Vladimir Putin, ka pasur shumë raste kur kundërshtarët e hapur të Kremlinit dyshohen se janë helmuar, ndonjëherë me pasojë vdekjen. I fundit që dyshohet se është helmuar, Aleksie Navalny, është dërguar në Berlin për shërim të mëtutjeshëm. Dhe, nuk është hera e parë që dyshohet se është helmuar. REL-i ka përmbledhur rastet më të njohura të kundërshtarëve të Kremlinit, që dyshohet se janë helmuar, duke përfshirë vetëm rusët.

Aleksie Navalny, gusht 2020 dhe korrik 2019

Një kritik i hapur i Kremlinit së fundi u shtrua në kujdesin intenziv në Siberi, pasi u sëmur. Zëdhënësi i tij dyshon se ai është helmuar. Ai filloi të ndihej keq derisa nga qyteti Tomsk po fluturonte për në Moskë. Aeroplani u detyrua të bënte ulje të paplanifikuar në Omsk të Siberisë.

Navalny, edhe më herë kishte dyshuar se është helmuar. Në korrik të vitit 2019, udhëheqësi i opozitës ruse u trajtua në një spital të Moskës për shkak të një sëmundjeje të panjohur. Navalny vazhdon të dyshojë se ishte helmuar nga autoritetet, ndërsa mjekët thanë se ishte “një reagim akut alergjik”.

Pyotr Verzilov, shtator 2018

Ky aktivist kundër Kremlinit u dërgua në spital pasi u sëmur rëndë. Sipas mjekëve të tij në Gjermani, ai me gjasë është helmuar. Verzilov u lëshua nga spitali dy javë më vonë.

Sergei Skripal, mars 2018

Ish-agjenti i dyfishtë rus dhe vajza e tij, Yulia, u helmuan në Mbretërinë e Bashkuar me agjentin nervor të epokës Sovjetike – Novichok. Të dy u shëruan pas një trajtimi të gjatë mjekësor.

Vladimir Kara-Murza, maj 2015 dhe shkurt 2017

Ky kritik i Kremlinit u shtrua në spital dy herë brenda dy vjetësh, në maj të vitit 2015 dhe në shkurt të vitit 2017. Murza me sa duket u shtrua si rezultat i helmimit nga një toksinë e panjohur.

Aleksandr Litvinenko, nëntor 2006

Litvinenko, një ish-oficer i inteligjencës dhe kritik i zëshëm i Kremlinit që iu dha azili në Britani, vdiq pasi u takua me agjentët e ish KGB-së në një hotel në Londër. Hetuesit e SHBA-së më vonë konstatuan se ai ishte vrarë, pasi çaji i tij ishte helmuar me substancën radioaktive polonium-210.

Roman Tsepov, shtator 2004

Ky biznesmen nga Shën Petersburgu me lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin, vdiq nga një sëmundje e rëndë e shkaktuar nga rrezatimi i një substance misterioze.

Anna Politkovskaya, shtator 2004

Gazetarja hulumtuese ruse, Anna Politkovskaya, u sëmur pasi piu çaj gjatë një fluturimi. Toksina që i shkaktoi asaj përkeqësim të gjendjes shëndetësore nuk është identifikuar kurrë. Dy vjet më vonë, Politkovskaya u qëllua për vdekje.

Yury Shchekochikhin, korrik 2003

Ky gazetar hulumtues dhe ligjvënës i mirënjohur vdiq nga një sëmundje misterioze, duke shfaqur simptoma të një reaksioni të rëndë alergjik. Të dhënat e tij mjekësore nuk u bënë asnjëherë publike.