Kryeministri, Edi Rama: Dhamë provën që PS mund ta bëjë Shqipërinë; PD në drejtim të paditur

09.05.2017 11:01:50

Nga Kongresi i Partisë Socialiste që po mbahet në qytetin e Durrësit, Edi Rama ka falenderuar të gjithë ata që e votuan si kryeministër, duke e cilësuar si nderin më të madh. Gjithashtu ai ka falënderuar të gjithë anëtarët e kabinetit të tij qeverisës, veçanërisht Namik Doklen, Valentina Leskajn dhe Arta Daden. Një falënderim të veçantë ai ka bërë për nënën, gruan dhe fëmijët e tij.

“Mbetet ende shumë për të bërë, por sot ju kemi dhënë provën e sigurt që ne mund dhe do ta bëjmë Shqipërinë.

Faleminderit që më ndihmuat në çdo orë dhe çdo ditë në detyrën për të shërbyer si kryeministri juaj. Faleminderit deputetëve të grupit tonë parlamentar, veçanërisht Namik Dokles, Valentina Leskajt, Arta Dades që dhanë gjithçka mundën në gjithë këto vite në vijën e parë të betejave të PS-së. Jam i bindur që përvoja e tyre do na ndihmojë edhe më tej”. U shpreh Rama.

Ndër të tjera Rama tha se PD nuk mund të kërkojë dot votë, nëse nuk voton Vettingun. Rama tha se janë krenarë që nuk janë si PD-ja, duke shtuar se demokratët kanë ikur në drejtim të paditur.

“Zgjedhjet këtë radhë janë historike, sepse këto zgjedhje në 18 qershor shqiptarët nuk do të vendosin se kush do i qeverisë, po ku do jetë nesër Shqipëria që po rilindim, pasi e morëm të rrënuar, pa shtet, të zhytur në borxhe, të zhytur në një sistem absurd.

PD sot ka ikur në drejtim të paditur. Duan të hedhin në erë Vettingun për të hedhur në erë zgjedhjet. PD doli nga zgjedhjet e udhëhequr nga frika. Jemi krenar që ne nuk jemi si ata”, u shpreh ai.