Kryeministri i Kosovës, Mustafa thotë se nga muaji korrik do të fillojnë së aplikuari sigurimet shëndetësore

14.02.2017 11:58:25

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se duhet investime kapitale në aparatura, teknologji, furnizim të barnave dhe në investim në ngritje profesionale në shëndetësi.

Mustafa duke folur në Kuvendin e Kosovës për Sigurimet Shëndetësore, ka thënë se shëndetësia dhe arsimi do të jenë prioritet dhe do të rriten investimet në këto dy dikastere.

“Zhvillimi i Shëndetësisë është prioritet, kërkohen investime kapitale në aparaturë, teknologji, furnizimin me barna dhe ngritje profesionale. Investimet në shëndetësi dhe arsim janë produktive dhe në periudhën e ardhshme do të rriten investimet në këto dikastere. Themelimi i fondit dhe aktivizimi i tij shihet nga qeveria si një çështje e rëndësishme. Qeveria e Kosovës nga marrja e mandatit ka filluar t’i përmbush të gjitha detyrat për aktivizimin e sigurimeve shëndetësore. Kemi bërë përpjekje që të fillojmë në fillim të këtij viti, por kemi vlerësuar se kërkohet edhe pak kohë që të jetë sa më e përgatitur. Kemi vlerësuar se duhet të zgjatet afati edhe për 6 muaj për mbledhjen e premiumeve”, ka thënë Mustafa, raporton lajmi.net.

Mustafa ka thënë se ka filluar sistemi i shtrirjes së rrjetit të informatave në disa komuna dhe po vazhdon në tërë komunat.

“17 milionë euro do të investohen në sigurime shëndetësore, deri më tani sistemi informatikë shëndetësor është kompletuar në Prishtinë, në regjionin e Prizrenit. Tani MSH po punon në shtrirjen e sistemit edhe në komunat tjera. Procesi për mbledhjen e premiumeve është caktuar data 1 korrik 2017”, ka thënë Mustafa. Kemi mundur të fillojmë edhe më 1 janar të këtij viti, por kemi vlerësuar se kapacitetet të jenë më të mëdha kur të fillon në korrik”, ka thënë Mustafa.