Kryeministri Mustafa: Çështja e murit u zgjidh në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën

05.02.2017 17:37:10

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka mbajtur një konferencë për media ku së bashku me ministrin e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, kanë prezantuar qëndrimet e Qeverisë lidhur me çështjen e murit në Mitrovicën e Veriut.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencën për media:

Jemi sot së bashku me ministrin Shala, për t’ju prezantuar qëndrimet e Qeverisë së Kosovë si dhe dikastereve kompetente lidhur me zhvillimet e fundit që kanë të bëjnë me çështjen e murit në veri të Mitrovicës.
Siç jeni të informuar, të shtunën në orët e para të mëngjesit, pas shumë bisedave mjaft të gjata është arritur pajtimi për largimin e murit në veri të Mitrovicës dhe rehabilitimin e hapësirës së atjeshme në përputhje me ligjet, në përputhje me planet hapësinore dhe në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe të vetë Komunës së Mitrovicës së veriut.
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, që është së bashku me mua sot këtu, së bashku me sekretarin Çitaku, me z. Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe me anëtarë të tjerë të kabinetit kanë zhvilluar biseda disa orëshe dhe disa ditore me kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, ku kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësuesit tjerë politikë të komunitetit serb, si dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Si kryeministër, gjatë muajit janar, kam takuar disa herë kryetarin e Mitrovicës së Veriut, z.Rakiq, dhe kemi biseduar për mundësitë që vet Komuna të merr masa për mënjanimin e murit dhe ndërtimin e shëtitores në harmoni me ligjin.
Kemi pasur takime më të gjera me përfaqësues ndërkombëtarë, me ata të Komunës së Mitrovicës së Veriut dhe përfaqësues tjerë të komunitetit serb, edhe gjatë tërë vikendit të kaluar dhe ato takime kanë vazhduar pastaj nën drejtimin e ministrit Ferati.
Që nga koha kur është kuptuar ndërtimi i këtij muri, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor i ka zhvilluar të gjitha procedurat ligjore për të kërkuar nga organet komunale mënjanimin e murit si një objekt i jashtëligjshëm.
Pas shumë bisedave, në përputhje me ligjet, Kushtetutën dhe vullnetin e dy palëve, dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në krye me Ambasadorin Delawie si dhe të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe zonjës Apostolova, është arritur pajtimi për detajet e këtij procesi.
Sipas marrëveshjes, për të cilën më gjerësisht do të flasë ministri Shala, muri është paraparë që të rrënohet dhe muri sot është rrënuar, ndërkaq ajo pjesë e sheshit do të rehabilitohet në përputhje edhe me projektin e Bashkimit Evropian të aprovuar nga Kuvendit i Komunës së Mitrovicës së Veriut, dhe në përputhje me të gjitha ligjet e Kosovës dhe kriteret që ne i zbatojmë për ndërtime të tilla.
Gjatë gjithë këtij procesi, që nga fillimi e deri më tani së bashku me ministrin Shala kemi zhvilluar konsultime të vazhdueshme dhe po ashtu kemi pasur një koordinim të vazhdueshëm dhe konsultime të vazhdueshme me Presidentin, z. Thaçi dhe me Kryetarin e Kuvendit, z. Veseli, të cilët kanë qenë aktivisht të kyçur në këtë proces.
Pra, përshkrimi i asaj që ka ndodhur është se:
Përfaqësuesit e zgjedhur politikë të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në dy nivelet e pushtetit, për një çështje shqetësuese janë ulur së bashku, me praninë e miqve ndërkombëtarë, e kanë zgjidhur këtë problem në përputhje me ligjet, në përputhje me nevojat e qytetarëve dhe në shërbim të mirëbesimit ndërmjet qytetarëve të të gjitha komuniteteve, të integrimit të përgjithshëm, të paqes dhe stabilitetit në vendin tonë.
Pra, krejt ajo çfarë kemi bërë, është se kemi zgjidhur një problem të brendshëm, përmes autoriteteve të brendshme me përkrahje ndërkombëtare në rrugën tonë evropiane dhe euroatlantike.
Nuk kemi pasur asnjë garë force, nuk kemi manifestuar popullizëm dhe as folklorizëm, mendoj se kanë triumfuar vlerat dhe kanë triumfuar metodat dhe mënyrë më të mira demokratike.
Komuna e Mitrovicës së Veriut dje dhe sot ka vepruar plotësisht sipas marrëveshjes së arritur. Është hera e parë që gjithë këshilltarët e kësaj Komune në mënyrë unanime kanë votuar për një vendim shumë të rëndësishëm të kësaj Komune dhe po ashtu edhe dy ministritë tona, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal i kanë kryer saktësisht të gjitha obligimet edhe dje edhe sot edhe gjatë gjithë kësaj periudhe sa jemi ballafaquar me këtë problem pa marrë parasysh se e ka qenë ditë vikendi, apo ditë pune.
Prandaj, unë falënderoj sot dy ministritë, edhe ministrin Shala edhe zëvendësministrin Geci, që është me ne sot, edhe sekretarin e Ministrisë së Mjedisit, z.Çitaku. Falënderoj kryetarin e Komunës së Mitrovicës, z. Rakiq, falënderoj edhe qytetarët atje, qytetarët që janë me shumicë serbe në veri të Mitrovicës dhe ata shqiptarë që janë në Jug të Mitrovicës për sjelljen e tyre dinjitoze, në zbatim të ligjit dhe po ashtu t’ju siguroj se do të bëjmë përpjekje maksimale si Qeveri që të gjitha çështjet dhe të gjitha problemet t’i zgjidhim në mënyrë të urtë, t’i zgjidhim duke zbatuar Kushtetutën, ligjet dhe duke u siguruar gjithë qytetarëve tanë garancion të plotë për jetë të tyre të rehatshme në vend dhe për zbatim të ligjit dhe Kushtetutës.