Kryeministri Mustafa i bindur se drejtësia do të zbardhë vrasjen në pabesi të Kolonel Zemajt

04.01.2017 17:57:25

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me rastin e 14 vjetorit të vrasjes, përkujtoi komandantin e luftës çlirimtare, Kolonelin Tahir Zemaj.

Kryeministri theksoi se “Kolonel Tahir Zemaj do të përkujtohet gjithnjë si një luftëtar i shquar i lirisë, i cili dha gjithçka për Kosovën në momentet më të vështira”.

Mustafa me këtë rast veçoi rolin e Kolonel Zemajt në Betejën Heroike të Loxhës, e cila u fitua falë udhëheqjes vetëmohuese të Kolonel Tahir Zemajt dhe luftëtarëve të tjerë të lirisë.

“Kolonel Tahir Zemaj do të mbahet mend përgjithmonë si një luftëtar besnik i Atdheut, një strateg ushtarak dhe një njeri i pakursyer për arritjen e lirisë dhe demokracisë në Kosovë”, thekson Mustafa, duke shprehur besimin se drejtësia do të zbardhë një ditë vrasjen në pabesi të Kolonel Zemajt, të djalit të tij, Enisit dhe veprimtarit të shquar politik, Hasan Zemaj.