Kryeministri Mustafa i del në mbrojtje ministrit Demolli, thotë ai nuk është kundër Ushtrisë

07.03.2017 19:43:08

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka dalur në mbrojtje ministrit të FSK-së, Haki Demolli në lidhje me letrën që ia ka dërguar Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit.

Në letër thuhej se FSK-ja, ka pranuar disa thirrje nga zyrtarë të SHBA-së të cilët ishin të shqetësuar me deklarimet për transformimin e FSK-së, transmeton lajmi.net.

Por këto akuza Mustafa i ka quajtur vetëm si përgjegjësi e ministrit, për të njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet e partnerëve të Kosovës në lidhje me rolin e FSK-së.

“Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake. Ministri i FSK-së, z Haki Demolli ka qenë dhe është për transformimin e FSK-së në ushtri. Letra që ai e ka dërguar në adresë të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, shpreh përgjegjësinë e tij si ministër për të njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjik lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Lexo postimin e plotë:

Të nderuar qytetarë,

Ushtria e Kosovës nuk është dhe nuk do të jetë partiake. Ministri i FSK-së, z Haki Demolli ka qenë dhe është për transformimin e FSK-së në ushtri. Letra që ai e ka dërguar në adresë të Presidentit, Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit, shpreh përgjegjësinë e tij si ministër për të njoftuar institucionet e larta shtetërore për qëndrimet dhe opinionet e partnerëve tanë strategjik lidhur me dhënien e rolit të ushtrisë FSK-së.

Demolli më ka njoftuar mua paraprakisht dje me bisedën me partnerët dhe unë e kam këshilluar që për të gjitha këto çështje të njoftojë edhe Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit. Edhe unë si Kryeministër i kam njoftuar me letrën që e kam marrë nga Sekretari i NATO-s, Jens Stoltenberg, ditën kur është mbajtur debati në Kuvendin e Kosovës lidhur me FSK-në.

I konsideroj të papranueshme, të papërgjegjshme dhe tendencioze sulmet e tilla ndaj ministrit Demolli si dhe nxjerrjen e letrave zyrtare në opinion për efekte politike