Lutfi Haziri flet në emër të LDK-së, thotë se kjo parti ta votojë ligjin për Ushtrinë e Kosovë

07.03.2017 19:48:25

 Lidhja Demokratike e Kosovës do ta votojë ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri.

Kështu ka thënë nënkryetari i këtij subjekti, Lutfi Haziri, i cili ka shtuar se pret qe të gjitha partitë politike në Kosovë të votojnë pro rritjes se kapaciteteve të FSK-së.

“Është momenti i duhur dhe koha fundit kur të gjitha partitë politike dhe Kuvendi të bashkohen për ta fuqizuar FSK-në. Definitivisht LDK do ta mbështesë, dhe është koha e fundit qe Forcat e Armatosura të Kosovës më i marrë atributet e ushtrisë”, ka thënë Haziri

Haziri ka thënë se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë me shtetet anëtare të NATO-s sa i përket këtij projektligji.

“Unë besoj se kryeministri me kryetarin e Kuvendit dhe presidentin janë autoritete qe koordinojnë edhe me shtetet partnerë dhe shtetet anëtare të NATO-s lidhur me këtë ligj”, ka thënë Haziri.

Sot, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka proceduar edhe zyrtarisht kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, projektligjin për transformimin e FSK-së.

Nesër pritet të mbahet mbledhja e Kryesisë, ku do të vendoset se kur do të votohet projektligji në fjalë.

Për miratimin e këtij projektligji nuk nevojiten më shumë se 61 vota.