Kryeministri Mustafa: Kosova do t’i vlerësojë të gjithë luftëtarët e lirisë, shtetet mike dhe gjithë miqtë e saj!

18.10.2016 19:02:47

Kryeministri Mustafa ka pritur sot Jon Harrison, ish-ushtar i UÇK-së nga Britania e Madhe. Me këtë rast, kryeministri kujtoi edhe takimin që e ka pasur me Jon Harrison në shkurt të këtij viti në Londër me rastin e shënimit të 8 vjetorit të pavarësimit të Kosovës, kur edhe ia ka dorëzuar certifikatën e veteranit të UÇK-së. Kryeministri Mustafa ka vlerësuar kontributin e Jon Harrison, të angazhuarve të tjerë dhe shteteve për lirinë e Kosovës.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

“Pata nderin e veçantë të pres sot luftëtarin e dalluar britanik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jon Harrison.

I shpreha mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin e dhënë gjatë luftës çlirimtare në Kosovë, duke qenë një luftëtar i paepur për çlirimin e Kosovës. E kam takuar Jonin në Londër në shkurt të këtij viti, ku shënuam 8 vjetorin e Pavarësisë si dhe pata kënaqësinë e veçantë që t’ia dorëzoj certifikatën e Veteranit Luftëtar të UÇK-së.

Që nga nesër, një rrugë në Prizren do të mbajë me krenari emrin e luftëtarit të lirisë, Jon Harrison, i cili 17 vjet më parë erdhi nga Britania e Madhe dhe luftoi me tërë qenien për të vetmen kauzë, lirinë e Kosovës. Republika e Kosovës do t’i nderojë përjetë luftëtarët e lirisë, shtetet mike që na ndihmuan në ditët e vështira dhe të gjithë miqtë e saj.”

fb_img_1476809846234fb_img_1476809898882