Kryeministri Mustafa: Pengimi i zbardhjeve të vrasjeve politike është padrejtësia më e madhe për të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës!

10.04.2017 20:13:17

Kryeministri Mustafa ka komentuar kritikat që të tjerë po i bëjnë ndaj LDK-së për shkak se po i kujton të vrarët politikë, veprimtarë të saj.

Në një postim në facebook, kryeministri Mustafa është shprehur se vrasjet do të përmednen derisa ato të mos zbardhen, dhe se ato vrasje, plagosje etj., do të peshojnë drejtësinë dhe përgjegjësinë tonë, për të konluduar se “zellin” për të akuzuar LDK-në që po i kujton këto vrasje, duhet ta orientojnë kah mbështetja e institucioneve të drejtësisë, të cilat janë ato që duhet të zbulojnë kush organizoi, kush urdhëroi dhe kush kreu këto vrasje.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Të dashur miq,
Si edhe në të kaluarën, LDK po akuzohet që duke i kujtuar me respekt , po i përmend vrasjet e veprimtarëve të saj të shquar.
Vrasjet do të përmenden, përderisa ato të mos zbardhen. Vrasjet duhet t’i përmendin të gjithë, sepse drejtësia na takon neve të gjithëve. Ata që marrin mandatin e popullit e kanë për detyrë të angazhohen për drejtësi. Pa dallim!
Drejtësinë nuk mund ta ndajnë fëmijët e mbetur jetim e gratë e mbetura pa burra, as njerëzit e mbetur në karroca të invalidëve. Të gjithë këta e peshojnë drejtësinë dhe përgjegjësinë tonë; të institucioneve shtetërore, të partive politike, të shoqërisë civile, të mediave, të bashkësive fetare. Ata i besojnë shtetit të tyre dhe kërkojnë përgjigje për më të dashurit që padrejtësisht i humbën.
Ndërkaq, kush organizoi, kush nxiti dhe kush kreu vrasjet, duhet ta zbulojnë institucionet e drejtësisë. Tentimet që ato të adresohen paraprakisht janë qëllimkëqija, nga kushdo qofshin ato.
Prandaj , “zellin” për ta akuzuar LDK-në se pse po kujton veprimtarët e vet dhe pse po kërkon drejtësi, do të ishte mirë ta orientonim në mbështetjen e organeve kompetente për ndriçimin e këtyre vrasjeve.
Edhe pasi të zbulohet e vërteta për vrasjen e veprimtarëve të saj, LDK do ti kujtojë ata me respekt dhe admirim. LDK është përpjekur dhe do të përpiqet që mos të lejojë pengimin e drejtësisë. Sepse kjo është padrejtësia më e madhe ndaj së sotmes dhe të ardhmes së Kosovës.