Kryeministri Mustafa: Përkundër episodeve të izoluara, Kosova ka potencial të madh kreativiteti, vitaliteti dhe talentesh

06.12.2016 09:57:35

Edhe pse Kosova gjatë këtyre dy viteve para botës është shfaqur me forma të papërshtatshme, megjithatë edhe në forma të tilla janë gjetur momente të profesionalizmit artistik. Një foto e fotografit Armend Nimani që paraqet një nga momentet  kur në Kuvend është hedhur gazi lotsjellës, është vlerësuar një nga 100 fotot më të realizuara artistikisht nga revista prestigjioze “Time”. Kryeministri Mustafa ka uruar fotografin Armend Nimani dhe komunitetin e fotografëve dhe të artistëve pamorë.

“Të nderuar miq,

Kjo fotografi nga Kosova është përzgjedhur në mesin e 100 fotografive më të mira të vitit 2016, nga Revista Time.

Edhe pse fotografia paraqet ngjarjet e pakëndshme që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës, e përgëzoj fotografin e talentuar, Armend Nimani, për suksesin e arritur përmes kësaj fotografie.

Përkundër episodeve të izoluara, Kosova ka potencial të madh kreativiteti, vitaliteti dhe talentesh, të cilët nganjëherë me forma artistike po i rikuperojnë dëmet që pa nevojë i kemi shkaktuar vetvetes.

Urime Armend Nimanit dhe komunitetit të fotografëve dhe artistëve pamor të Kosovës!- thuhet në urimin e kryeministrit Mustafa.

fb_img_1481014364231