Portreti i Adem Jasharit i ndërtuar me 200 mijë fishekë u zbulua në Prekaz

05.03.2018 21:19:56

Mozaiku i ndërtuar nga 200 mijë fishekë ku është bërë portreti i komandantit legjendar Adem Jashari është zbuluar sot në 20 vjetorin e rënies së tij.

Mozaiku që nga sot e deri më 7 mars do të qëndrojë në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz, ndërsa pas 7 marsit ende nuk është vendosur se çka do të ndodhë më të.

Autori i këtij mozaiku, Besart Gashi bëri të ditur se mozaiku është 25 metra katror dhe është punuar nga 200 mijë gëzhoja fishekësh.

“Për nder të 20 vjetorit të rënies së komandantit legjendar Adem Jasharin dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kam vendosur ta bëjë një mozaik të veçantë siç është fytyra e komandantit të veçantë dhe vepra e tij sublime që ka bërë për vendin tonë. Ky mozaik është për herë të parë i punuar me gëzhoja fishekësh, sipas hulumtimeve të mija në botë nuk ka kaq përmasa të mëdha. Jam i lumtur që pata mundësinë ta zbuloj në këtë 20 vjetor. E gëzofshi Prekaz, e gëzofshi Drenicë, e gëzofshi mbarë trojet shqiptare”, tha ai.

Madhështore mozaikun e ka quajtur kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, i cili tha se kjo vepër tregon dashurin që qytetarët kanë për komandantin Adem Jashari.

“Domethënia e kësaj vepre tregon që sa shumë e kanë dashur, e duanë dhe e respektojnë komandantin legjendar qytetarët e këtij vendi që në mënyrë vullnetare autori Besart Gashi me ekipin e vet me gëzhoja fishekësh që unë besoj që nëse gjithçka shkon në rregull ish desh të hyjë në librin Guines kjo vepër e tij. Është madhështore e falënderoj shumë. Dashtë Zoti të jemi më të bashkuar që të punojmë, ta ndërtojmë këtë vend, ta zhvillojmë se vetëm kështu mund ta realizojmë amanetin e dëshmorëve tanë”, tha Jashari.

Mozaiku që portretizon fytyrën e komandantit Adem Jashari, pas datës 7 mars nuk dihet se ku do të vendoset. Madje, as kryetari Jashari tha se nuk e dinë se ku do të qëndrojë pas kësaj date.

“Të them të drejtën nuk e si saktë, të shohim, do të bëjmë analiza dhe do të vendosim se si do të qëndroj”, tha ai.

Autori i mozaikut pretendon që me këtë vepër të hyjë edhe në librin Guines.