Projekti i hartuar nga ish-studentja në Fakultetin e Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor në UBT, Vildane Maliqi, në bashkëpunim më profesorin e UBT-së, Arbër Sadiki, është futur në rrethin e ngushtë të finalistëve në konkursin ndërkombëtar të arkitekturës “Modern Collective Living Challenge”, në Kinë.
Punimi i Maliqit, është vlerësuar lart nga juria profesionale, pjesë e së cilës ishin edhe shumë arkitektë bashkëkohorë të njohur ndërkombëtarisht.
Projekti trajton sfidat e banimit kolektiv për punëtorët bujqësorë, të cilët janë në lëvizje nëpër vendet e ndryshme rurale të Kinës.
Ky projekt ofron propozime banimi për komunitetet, në kuadër të të cilit ata ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës.
Shkalla e pashembullt e urbanizimit të Kinës ka bërë që miliona njerëz nga zonat rurale të zhvendosen në zona më të urbanizuara, teksa ka shumë arsye pse fermerët janë zhvendosur nga tokat e tyre bujqësore, duke përfshirë zhvillimin e zonës së planifikuar që është shkaktuar nga rritja e qytetit, zhvillimi i infrastrukturës, ndotja, apo presioni ekonomik për fermerët për të kërkuar mundësi më të mira të jetesës.
Projektet më të suksesshme, në mesin e të cilave është edhe ai i ish-studentes së UBT-së, mund të praktikohet në vende të ndryshme rurale në të gjithë Kinën, teksa me potencialin që kanë projektet, do të miratohen praktika standarde për adresimin e këtij problemi të përbashkët.