Kryeministri Mustafa: Të mos bëhemi avokatë të së keqes, por avokatë të së vërtetës!

15.11.2016 23:53:04

Kryeministri Mustafa është shprehur lidhur me rastin  “Dehari”, dhe ka kërkaur nga institucionet shtetërore të punojnë me themel dhe të jenë të sakta e transparente, ta thonë të vërtetën dhe të marrin përgjegjësinë për të gjeturat e tyre. Kryeministri Mustafa, ka bërë thirrje të mos bëhemi avokatë të së keqes, por avokat të të vërtetës, sepse ajo që keni nevojë është ballfaqimi me të vërtetën.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Ajo që të gjithë neve na nevojitet, është ballafaqimi me të vërtetën. E vërteta nuk përcaktohet me akuza e zhurmë dhe ngulfatje të opinionit, por me fakte shkencore e profesionale.

Nuk kemi nevojë të bëhemi avokat të të keqes, por avokat të së vërtetës.

Kauza e rrejshme politike, po rrezikon të na lë pa liberalizim të vizave, sepse gënjeshtrat po e mund të vërtetën! Mos ta ndërtojmë edhe një kauzë politike për një rast tragjik; të presim që institucionet që janë të autorizuara me ligj ta thonë fjalën e tyre.

Atyre që u ngutet, mund të kenë arsyet e tyre, por institucionet shtetërore duhet të punojnë me themel, të jenë të sakta e transparente, ta thonë të vërtetën dhe ta marrin përgjegjësinë për të gjeturat e tyre.