Kryeministri Mustafa thotë se duhet të ketë burime nëse bëhen ndryshime në ligjin pr buxhetin

23.12.2016 01:08:54

Gjatë debatit për amendamentimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2017, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime.

“Ne do të vijmë në një pozitë të pavolitshme nëse votojmë pa burime. Edhe ligjet duhet me i bërë mbi bazën e burimit. Iu kisha lut që të kemi kujdes, nëse bëjmë ndryshime duhet me burime, sepse pa burime e kemi vështirë me bë ligje. Me bë ligj pa mbulesë nuk mund të pajtohem”, tha Mustafa.

Reagimi i kryeministrit Mustafa erdhi pas kalimit të amandamentit 31 për memorialin e varrezave të Mejës, pa përkrahje të komisionit funksional, i propozuar nga deputetja e AAK-së, Teutë Haxhiu.

Kryeministri me këtë rast kërkoi që të korigjohet ky lëshim, por kryeparlamentari Kadri Veseli theksoi se edhe pse amandamenti 31 për varrezat e Mejës e prish balancin e buxhetit, ai tashmë ka kaluar dhe është ligj, prandaj duhet gjetur mjetet për të.