Kryeministri Mustafa: Transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura, peng i serbëve

03.02.2017 14:32:22

Kryeministri i vendit Isa Mustafa, pas takimit me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për media tha se Kosova ka nevojë për ndihmë për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura, pasi kjo çështje ka mbetur peng shkaku i deputetëve serbë.

Ai tha se procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura ka mbet peng sepse nuk kanë përkrahjen e serbëve dhe kjo jo për fajin e tyre, por për shkak ndikimit të Serbisë në ta.

“Kemi biseduar me pjesëtarët e popullatës jo shumicë në Kosovë por ku proces po mbahet peng sepse nuk kemi përkrahen e serbëve, por jo për shkak të tyre por për shkak të ndikimit të Serbisë në ta”, tha Mustafa.

Më tej kryeministri i vendit tha se Kosova e vlerëson lartë rolin e NATO-s dhe aspiron të jetë anëtare e saj.

“Republika e Kosovës është plotësisht për integrime evropiane dhe euro-atlantike”, tha kryeministri.

Ai tha se prania e KFOR-it në Kosovë është shumë e rëndësishme për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Kryeministri më tej vlerësoi se Kosova periudhën e fundit është provokuar nga Serbia por tha se janë të interesuar që çështjet me Serbinë t’i zgjidhin përmes dialogut.

Ai tha se procesi i dialogut ka dhënë rezultate dhe mbetet e vetmja alternativë.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës tha se institucionet e Kosovës janë të interesuara t’i integrojnë serbët në Kosovë dhe ai tha se popullata serbe është plotësisht e sigurt këtu.

Mustafa duke folur për fqinjësinë në rajon, tha Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi dhe po bën përpjekje që ta kalojë çështjen e demarkacionit.