Kryeministri në takim urgjent me veteranëve e UÇK-së

06.10.2016 11:07:02

Veteranëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dje iu nda buxheti për pensionet e muajit shtator, ndërsa Qeveria tha se po shihte mundësitë për gjetjen e një zgjidhje për tre mujorin e ardhshëm, duke e lënë të hapur mundësinë e mos marrjes së tyre në kohë.

Kanë qenë përfaqësuesit e veteranëve ata që i kanë tërhequr vërejtjen qeverisë, duke u kërkuar përgjegjësi dhe respektim të ligjeve që ata i mbron dhe u siguron pensionet.

Nisur nga këto zhvillime, duket se ka ardhur edhe takimi urgjent mes kryeministrit Isa Mustafa dhe përfaqësuesve të veteranëve. KosovaPress mëson se në këto momente përfaqësuesit e veteranëve janë në zyrën e kryeministrit dhe janë duke biseduar për çështjen e pensioneve, përfshirë edhe procesin e listave për të cilat janë ngritur dyshime të mëdha.

Takimi po mbahet pa praninë e medieve.

Nga ana tjetër, kryeministri i vendit, Isa Mustafa, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë tha se ata kanë siguruar mjetet për pagat e shtatorit, por duhet të krijohen kushte që në të ardhmen këto mjete t’i marrin ata që i meritojnë, veteranët e vërtetë.

“Kemi marrë zotimin në bisedë me përfaqësuesit e FMN-së që ne të gjejmë një zgjidhje e cila do të jetë e përballueshme për ne, por dhe e pajtueshme me FMN-në në të ardhmen, në mënyrë që të kapërcejmë këtë problem i cili mund të na qet prej programit të FMN-së dhe të rrezikon të gjitha projektet tjera të cilat ne i kemi fituar në bazë të këtij programi… Ne do të provojmë që të shihen se si të racionalizohen listat dhe cilët të jenë përfitues, sepse ne jemi deklaruar dhe në Qeveri, dhe unë personalisht, se asnjëri prej tyre që janë meritor si veteranë nuk do ta dëmtojmë në këtë rast. Por duhet të krijojmë kushte që këto mjete t’i marrin ata që meritojnë , veteranët e vërtetë të luftës”, tha kryeministri Mustafa.