Kryeprokurori: Ende s’dihet nëse Agon Musliu bëri vetëvrasja apo dikush e shtyri në vrasje

21.06.2020 16:20:02

Aleksander Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit, ka thënë se ende s’është zbardhur rasti i Agron Musliut, i cili vdiq derisa ishte detyruar të shkonte në Qendrën e Studentëve që shërbente si vendizolim për të kthyerit në Kosovë gjatë kohës së pandemisë.

Ai ka folur edhe për rastin e Agon Musliut që humbi jetën më 3 maj të këtij viti në Qendrën e Studentëve derisa po mbahej në karantinë, pas ardhje nga Gjermania.

“Ende nuk kemi identifikuar ndonjë person përgjegjës për kryerjen e kësaj vepre, sepse nuk kemi informacione të sakta nëse është vetëvrasje, apo shtytje në vrasje”, është shprehur Lumezi.

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, në një intervistë për arbresh.info ka bërë të ditur se Prokuroria është duke mbledhur informacione nga dëshmitarët, për të vërtetuar nëse ka pasur ndërhyrje në dhomën e përgjimeve.

“Ne, ende nuk kemi informacionet të sakta se kush ka qenë në dhomën e përgjimeve, apo a ka qenë dikush në dhomën e përgjimeve. Ne jemi duke mbledhur dhe grumbulluar informacione nga dëshmitarët për të vërtetuar se a ka pas ndërhyrje në dhomën e përgjimeve.  Nëse sigurojmë informacione se persona të paautorizuar kanë hyrë në dhomën e përgjimeve, sigurisht që do t’i ndjekim dhe do të kërkojmë llogaridhënie nga ta dhe përgjegjësi penale”, tha Lumezi.

412 raste të korrupsionit janë trajtuar vitin e kaluar, ku janë të përfshirë shumë zyrtarë shtetërorë, ministra e deri tek zyrtarë komunalë.

Gjatë këtij viti, sipas kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, ka patur aktakuzë për dy gjyqtarë, një polic, dhe një aktakuzë tjetër ndaj 32 policëve dhe personave tjerë të pjesës veriore.

“Jemi duke treguar vullnet për tu ballafaquar me të gjitha lëndët e korrupsionit, pavarësisht se cilët janë personat që kanë kryer vepra penale”, thotë Lumezi.

Lumezi konfirmon se në fazë të hetimeve ka ministra, deputetë, policë.

“Faktikisht përpara as që është imagjinuar mund të preken këta persona, dhe sot presim gjykime të suksesshme  në gjykata. Të qeverisë aktuale nuk kemi asnjë ministër në fazën e hetimeve, por kemi raste të hetimeve të ministrave në qeveritë e kaluara.”

Ai sqaron edhe mundësinë e kthimit të ish-prokurorit Elez Blakaj, në sistemin e drejtësisë.

“Me zotin Elezi nuk kam biseduar prej kur ka dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special, por kthimi i tij është i mundshëm, por duhet të rekrutohet dhe konkurrojë në stadin fillestar, do të thotë në Prokurori Themelore, dhe nëse gjatë procesit të intervistimit i parasheh të gjitha fazat, mund të kthehet, por jo në pozitën në të cilën ka qenë para se të jap dorëheqje. Ka mundësi të konkurrojë dhe të fillojë si fillestar dhe mandej të zhvillohet në karrierë brenda sistemit prokurorial.”