​Kryetari i Preshevës fton qytetarët e Luginës të votojnë listën e përbashkët të partive shqiptare

21.06.2020 16:35:44

Për herë të parë, pesë parti shqiptare nga komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, po marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme në një listë zgjedhore.

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka ftuar qytetarët shqiptarë të kësaj ane që të votojnë për listën e përbashkët të pesë partive shqiptare.

“Sot nuk votuam për asnjë parti politike, sot nuk votuam asnjë politikan. Sot votuam për Kombin Shqiptar, për unitetin, për unifikimin të cilin e ka bërë spektri politik Shqiptar në Luginë të Preshevës”, ka shkruar Arifi në Facebook.

Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje në fillim të këtij viti që të marrin pjesë në zgjedhje në një listë të përbashkët.

Këto parti kanë thënë se synojnë të fitojnë tri ulëse në Kuvendin e Serbisë.