Platforma shqiptare mbi postet shtetërore

04.02.2017 09:11:08

Dështimi i ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikolla Gruevski, për ta formuar qeverinë e re vuri në pah edhe një herë fuqinë e palës shqiptare atje. Pas “Jo”-së së BDI-së ndaj Gruevskit, shqiptarët duhet ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë situatë për t’i fituar të gjitha të drejtat e tyre, si dhe për të marrë për herë të parë postet ndër më të rëndësishmet, siç është ai i kryeparlamentarit.

Kështu kanë vlerësuar njohësit e çështjeve politike në Maqedoni, të cilët kanë thënë se shqiptarët e kanë të vështirë të fitojnë një tjetër mundësi siç është kjo e tanishmja. Nga ana tjetër, përderisa kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, Zoran Zaev, të cilit do t’i dorëzohet mandati qeverisës nëse arrin t’i mbledhë 61 nënshkrime, BDI-ja ende nuk ka dalë me një vendim se a do t’i bashkohet apo jo krahut të Zaevit.

Pavarësisht kësaj dy partitë e tjera shqiptare, “Besa” e “Aleanca”, janë shprehur të gatshme ta përkrahin LSDM-në për të ardhur në pushtet.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, i ka bërë thirrje presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, që t’ia dorëzojë sa më parë mandatin qeverisës pas dështimit të partisë me më së shumti vota, VMRO-së.

“Kërkuam nga presidenti Gjorgje Ivanov, qytetarët dhe Maqedonia të mos humbin kohë më shumë, të veprojë sipas kushtetutës dhe të ma ndaj mandatin për formimin e qeverisë së re”, ka deklaruar Zaev.

Nga ana tjetër, presidenti Ivanov është zotuar se mandatin do ta marrë ai kandidat, i cili do t’ia dalë ta formojë shumicën.

“Njoftoj opinionin publik se mandatin për formimin e qeverisë do ta marrë ai kandidat që do të më dëshmoj se ka formuar shumicën në kuvend”, deklaruar Ivanov.

Ndërkohë, përderisa partia shqiptare BDI-ja ende nuk ka dalë me një qëndrim zyrtar, lëvizja “Besa” dhe “Aleanca për shqiptarët” janë shprehur të gatshme ta përkrahin LSDM-në e Zaevit, sado që nuk janë të vendosura nëse do të hynë në koalicion me të apo jo.