Kryeprokurori i Tribunalit të Hagës: Liderët serbë kryen spastrime etnike të tmerrshme në Kosovë…

27.12.2017 17:54:04

Tribunali i Hagës, me aktgjykimet e tij, shkroi një pjesë të madhe të historisë së konflikteve në ish-Jugosllavi, tregoi se detyrën e tij e ka kryer në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe pavarësisht nga kombësia dhe feja i udhëhequr vetëm nga provat dhe ligji, deklaroi kryeprokurori i Tribunalit të Hagës Serxh Bramerc për “Veçernje Novosti” me rastin e mbylljes së gjykatës.

“Mendoj se drejtësia është realizuar përmes veprimeve, por gjithmonë them se kjo çështje duhet t’u parashtrohet viktimave”, shtoi Bramerc.

Ai thotë se është i kënaqur me punën e prokurorisë dhe rezultatet e Tribunalit për 24 vitet e fundit të punës.

Lidhur me çështjen se pse më shumë serbë janë dënuar, ai përgjigjet se ata luftuan në Kosovë, Kroacidhe  Bosnje e Hercegovinë  dhe se “autoritetet serbe kanë bërë spastrime etnike të tmerrshme në të gjitha ato vende”.

“Nëse ky fakt themelor pranohet, atëherë nuk është aspak për tu befasuar që Tribunali dënoi më shumë serbë. Nëse ky fakt nuk pranohet, gjë që ndoshta ndodh me autoritetet serbe dhe publikun, atëherë vërtet ka të bëjë me refuzimin të pranohet e vërteta”, theksoi Bramerc, raporton Sputnik.

Bramerc thotë se në disa raste ka konstatuar se liderët serbë ishin pjesë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale për krimet e kryera në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë, duke përfshirë zyrtarët serbë si Sllobodan Millosheviç dhe Nikola Sainoviç.

I pyetur nëse kombet e ish Jugosllavisë pas aktgjykimeve janë më afër ose larg pajtimit, Bramerc tha: “Gjykimet kanë efektin që udhëheqësit politikë dhe mediat zgjedhin t’i japin. Nëse, pas aktgjykimeve, liderët vendosin të thellojnë ndarjet dhe të rrisin tensionet, atëherë ata janë përgjegjës për këto pasoja. Edhe pse unë nuk mendoj se puna e Tribunalit çon direkt në pajtimin, mendoj se përcaktimi i përgjegjësisë është parakusht për pajtimin”.