Kryerabini Kaplan tregon kur do të këmbehen letrat e njohjes reciproke Kosovë -Izrael

15.09.2020 19:18:05

Yoel Kaplan, që prej dhjetë vjetësh i emëruar si kryerabin i Shqipërisë, ka marrë pjesë në shënimin e Vitit të Ri hebraik në Prishtinë, ku kanë marrë pjesë krerët e institucioneve të vendit.

Ai ka bërë të ditur se këmbimi i letrave për njohjen reciproke ndërmjet Izraelit dhe Kosovës do të ndodhë pasi që të nënshkruhen marrëveshjet me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe me Bahreinin, shtete arabe këto me të cilat Izraeli ka arritur marrëveshje. Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është i paraparë për këtë të martë.

Ndërkohë, kryerabini i Shqipërisë, Yoel Kaplan, i cili ka qenë pjesë e festimeve për Vitin e Ri hebraik në Prishtinë, ka thënë se tash e tutje do të intensifikohen raportet ndërmjet dy popujve, si dhe vizitat dhe lidhjet biznesore. Kaplan ka bërë një lutje për dy vendet, duke i ftuar në podium përfaqësuesit e bashkësive fetare, ndërkohë që ka folur edhe rreth angazhimit të tij për njohjen e Kosovës nga Izraeli, duke thënë se për këtë ka bërë përpjekje edhe në Izrael dhe në SHBA.