Kryeshefi i Ujësjellësit: Paguajeni ujin, shfrytëzojeni ligjin për faljen e borxheve deri më 2 shtator

31.07.2016 19:55:12

Kryeshefi i sa po emëruar në Kompaninë e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”, Ilir Abdullahu ka thënë se njëri ndër problemet më të mëdha të kompanisë është humbja e ujit që është në vlerën e 49 për qind të ujit që prodhohet.

Mirëpo, ka premtuar se ky problem do të rregullohet bashkë me shtrirjen e ujësjellësit në të gjithë banorët dhe shtimin e faturimit dhe inkasimit të ujit.

“Humbjet e ujit  në tërë zonën e shërbimit sillen në shkallë 49%, që është e lartë ku një pjesë është humbje fizike që rrjedhë nëpër rrjeta distributive me elementet përcjellëse për shkaka te vjetërsisë dhe një pjesë nga vjedhjet. Humbjet e ujit kanë efekt negativ ekologjik, ekonomik dhe social dhe janë pjesë përbërëse e pashmangshme e çdo sistemi të ujësjellësit”, ka thënë Abdullahu, në një intervistë për Indeksonline.

Abdullahu ka thënë se uji duhet të kursehet dhe të paguhet, që të kenë edhe brezat e ardhshëm. Abdullahu ka folur edhe për trajtimin e ujërave të zeza dhe ndotjen e lumenjve dhe po ashtu për nivelin e liqeneve akumuluese që e furnzojnë Prishtinën dhe një pjesë të madhe të Kosovës me ujë.

Me këtë rast, Abdullahu iu ka bërë thirrje konsumatorëve të shfrytëzojnë ligjin për faljen e borxheve dhe t’i shlyejnë borxhet që kanë ndaj ujësjellësit.

“Do të shfrytëzoj rastin që nëpërmjet kësaj interviste të bëja apel për konsumatorët që të drejtohen tek kompania dhe të përfitojnë nga falja e borxheve. Numri i konsumatorëve qe kanë ardhur deri më tash në gjithsej 8 komunat qe janë nën menaxhimin tonë është gjithsej 13.227 konsumatorë nga gjithsej sa ishte dashtë të paraqiten 78.000 konsumatorë”, ka shtuar ai.

Borxhi i falur deri më tash, në 8 komunat është 4,528,790.79 euro përfshirë pagesat kesh dhe riprogramimet.  Nga gjithsej borxh që duhet falur 23 milionë euro.

Ky udhëheqës i Ujësjellësit ka thënë se liqenet kanë ujë të mjaftueshëm për furnizim të qytetarëve të Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqt, Shtimes, Lipjanit, Podujevës, Gllogovcit dhe Graçanicës.

“Sipas te dhënave historike të matjeve te niveleve të liqeneve  gjendja në këtë periudhë vere kurrë nuk ka qenë më e mirë e në këtë e potencoj sidomos liqenin e Badovcit i cili është afër nivelit maksimal dhe kjo na ka ndihmuar neve si kompani që të kemi një furnizim me ujë të qëndrueshëm deri në këtë periudhe kohore, e ku zonat që furnizohen nga ky liqe kanë një furnizim 24 orë”, ka shtuar ai.