Kryesia e Kuvendit nesër mban mbledhje, demarkacioni nuk është në rend dite

13.09.2016 14:45:06

Kryesia e Kuvendit të Kosovës nesër do të mbajë mbledhjen e rregullt, në të cilën do të vendos për seancën e radhës plenare, e para për sesionin vjeshtor.

E në rend të ditës në seancën e parë nuk do të jetë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin kufitar me Malin e Zi.

Lidhur me këtë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj ka thënë për Indeksonline se ai ende nuk ka ndonjë informatë për mbledhje të Kryesisë së Kuvendit.

“Nuk kemi informata fare për nisjen e sesionit vjeshtor. Sa i përket demarkacionit unë nuk e di nëse zoti Mustafa po kërkon konsensus dhe po vazhdon me të njëjtin qëndrim. Unë mendoj se ky version i demarkacionit për ne është i vdekur dhe inekzistent”, ka thënë Lekaj.

Ai ka theksuar se edhe nëse nuk është në rend të ditës demarkacioni, deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të marrin pjesë.

 

“Edhe nëse nuk është në rend dite demarkacioni ne do të marrim pjesë, ne tashmë kemi filluar të marrim pjesë edhe nëpër komisione por edhe në seancë do të jemi të pranishëm”, ka thënë tutje Lekaj.

E anëtari i kryesisë së Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një prononcim për Indeksonline ka theksuar se pas tërheqjes nga rendi i ditës në seancën e 1 shtatorit, nuk i ka mbetur tjetër veçse të heq dorë nga marrëveshja.

“Pas tërheqjes që qeveria i bëri versionit aktual të marrëveshjes për demarkimin e kufirit me malin e Zi nga Kuvendi, ajo që i ka mbetur asaj të bëjë tani e tutje është tërheqja nga marrëveshja. Ky version i marrëveshjes nuk kalon prandaj qeveria nuk ka alternativë tjetër përveç tërheqjes nga marrëveshja”, ka thënë Sherifi.

Sipas tij, nëse qeveria, për çfarëdo arsye nuk mund ta bëjë një gjë të tillë atëherë ose le ta dërgoj marrëveshjen në kuvend për ta rrëzuar me votë ose le të jep dorëheqje dhe t’i lëshojë rrugë zgjedhjeve të parakohshme.