Kryetari i kësaj komune në Kosovë thotë se do t’i tejkalojë premimtet e tij

03.01.2020 15:05:11

Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, shpalosi për KosovaPress të gjithë punën që ka realizuar brenda dy viteve, ku ka thënë se ka bërë ndryshime të mëdha në këtë qytet duke filluar nga infrastruktura, ekonomia, arsimi, shëndetësia e në shumë sfera të tjera.

Ndërkohë shprehet i bindur se në dy vitet e ardhshme mandatare jo vetëm që do t’i kryej punët e premtuara por do t’i tejkalojë ato.

I pari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj tha se premtimet që ia ka dhënë qytetarëve të kësaj komune gjatë fushatës së vitit 2017, i ka realizuar, madje edhe tejkaluar 70 përqind të tyre.

“Është bërë një punë mjaft e madhe brenda dy viteve, ka ndryshime të mëdha në komunën e Suharekës, mundem me thënë ndoshta në çdo pore të jetës, unë premtimet të cilat i kam dhënë gjatë fushatës së vitit 2017, përafërsisht mundem me thënë se deri tash i kam tejkaluar 70 përqind, i kam edhe dy vite dhe besoj që jo vetëm kemi me i kryer ato që janë fol, por besoj që kemi me i tejkalu dhe ka me pas shumë ndryshime të mëdha në komunën e Suharekës, si në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, ambient dhe çdo kund tjetër”, tha Muharremaj.

Muharremaj tha se ndryshimet e qeverisjes së tij vërehen edhe në cilësinë arsimore. E krejt kjo fal ndërtimit të shkollave, pajisjeve laboratorike dhe ndërtimit të palestrave sportive. Gjithashtu, ai vlerëson kontributin e nxënësve të shkollës teknike, të cilët kanë bërë dekorimin e qytetit për festat e fundvitit, ku edhe kanë kryer praktiken por edhe e kanë ndihmuar komunën duke kursyer 12 mijë euro.

“Ka ndryshim në cilësinë në arsim, është një ambient më i ngrohtë edhe brenda objekteve shkollore edhe jashtë. Kemi ndërtuar shkolla me buxhet të komunës për një vit, jemi duke ndërtuar palestra sportive me buxhet të komunës, deri tash i kemi furnizuar shkollat diku me 75 kabinete…. Kemi ndryshim te shkollat, në rast konkret shkollën teknike, unë pretendoj që në këtë mandat të jetë shkolla më e mirë në Kosovë, nxënësit janë duke e bërë një punë të mrekullueshme, për herë të parë kanë bërë dekorimin e qytetit në aspektin profesional, domethënë edhe e kanë kryer praktiken por edhe e kanë ndihmuar komunën, këtë vit kemi harxhuar diku 12 mijë euro më pak në buxhetin e komunës”, tha Muharremaj.

I pyetur se për çka do të mbahet në mend qeverisja e tij nga qytetarët e Suharekës, Muharremaj u shpreh se do të mbahet në mend për sheshin i cili për herë të parë po bëhet në këtë komunë, për Shtëpinë e Kulturës, Shtëpinë e Pleqve, për arsim, për shëndetësi dhe për të gjitha premtimet e realizuara.

“Unë besoj që ka me u mbajt në mend për sheshin edhe pse është fol shumë, ka mu majtë në mend për shtëpinë e kulturës, për një model që është duke u bërë për herë të parë në Kosovë, Shtëpia e Pleqve që i ka 500 shtretër, ka mu mbajt në mend me përroin e Dubiqakut, që nuk ka me pas më vërshime, ka mu mbajt në mend për shëtitore, për arsim, për shëndetësi. Atë çka e kam fol e kam realizuar”, tha Muharremaj

E për t’u kujtuar brezave që vijnë, sakrificën e atyre që dhanë shumë për këtë vend, Muharremaj tha se është në përfundim e sipër të një projekti për renovimin e varrezave të dëshmorëve të Suharekës, si dhe një projekt për ndërtimin e një memoriali përkujtimor të viktimave në masakrën e Berishëve.

Ndër të tjerash, Muharremaj i premton qytetarëve të komunës së Suharekës se edhe në këtë vit do të vazhdojnë me këtë tempull të punës, duke mos i lënë anash familjet skamnore dhe familjet e dëshmorëve.

“Për vitin 2020 ne do të vazhdojmë me punë, do ta mbajmë këtë ritëm qysh e kemi mbajte deri tash, ka me pas ndryshime shumë të mëdha në çdo aspekt, në çdo pore të jetës, edhe ka një risi deri tash kemi ndërtuar 30 shtëpi për familjet skamnore, për vitin e ardhshëm planifikoj edhe 30 të tjera. Po ashtu, në këtë mandat premtoj edhe shtatë banesa me i nda për familjet e dëshmorëve, shërbime më të mira për qytetarët e komunës së Therandës pa asnjë dallim”, tha Muharremaj për KosovaPress.

Krejt në fund Muharremaj shprehet falënderues për bashkëpunimin që ka gjetur te qytetarët e Suharekës gjatë realizimit të projekteve.