Kryministri Isa Mustafa:Takim me shoqërinë civile

22.02.2017 21:30:07

Qeveria synon përfshirjen e plotë të shoqërisë civile dhe qytetarëve në politikat vendimmarrëse

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në lansimin e platformës online për konsultime me publikun, e cila ka për synim të ndihmojë institucionet në procesin e konsultimeve dhe përfshirjen më të gjerë të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve në bërjen e politikave vendimmarrëse.

Me këtë rast, kryeministri Mustafa falënderoi për kontributin e dhënë nga Bashkimi Evropian për lansimin e kësaj platforme, duke e vlerësuar si jetike në krijimin e një ndërlidhje funksionale ndërmjet dokumenteve që Qeveria i krijon dhe konsultave publike me palët e interesuara.
“Pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Qeverisë së Republikës së Kosovës për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimeve Publike nga data 1 janari i këtij viti, Zyra për Qeverisje të Mirë, bashkë me projektin e asistencës teknike të BE-së për “Mbështetje dhe zbatimin e strategjisë qeveritare për bashkëpunim me shoqërinë civile”, kanë dizajnuar këtë platformë për konsultime me publikun.
Platforma ka një pikë qasje për të gjitha konsultimet publike që duhet të kryhen nga institucionet publike, për projektligje, për koncept dokumente, pastaj për dokumente strategjike dhe për akte të tjera, që janë subjekt i konsultimeve publike sipas rregullores së Qeverisë”, tha kryeministri.

Duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë me Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile dhe CiviKos-in në zbatim të këtyre standardeve, kryeministri Mustafa shprehu besimin se edhe zbatimi do të jetë përmbajtjesor dhe i suksesshëm.
“Qëllimi i kësaj platforme është që të ndihmojë ministritë dhe agjencitë qeveritare të Republikës së Kosovës për procesin e konsultimeve publike, me përfshirjen më të gjerë të autoriteteve publike dhe joqeveritare, organizatave të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve relevantë që janë përgjegjës për bërjen e politikave vendimmarrëse. Përmes kësaj platforme, ne konsiderojmë që po ashtu të sigurojmë një proces të komunikimit ndërmjet organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, si dhe rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë së organeve publike ndaj palëve dhe ndaj publikut”, tha kryeministri.

Ndërkaq, duke përmendur punën që po bëhet në ngritjen e kapaciteteve, kryeministri Mustafa tha se po punohet në zhvillimin e trajnimeve për zyrtarët dhe ministritë e linjës për zbatimin e standardeve minimale për konsultime publike.
“Uroj që bashkëpunimi ynë më i ngushtë në diskutimet lidhur me dokumentet, të cilat ne do t’i prezantojmë, të rezultojë me përafrimin e këtyre dokumenteve me interesin e qytetarëve tanë”, tha kryeministri.

Shefja e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, njëherësh përfaqësuese e posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, tha se konsultimet me publikun janë vlerë themelore e Bashkimit Evropian, por edhe vlerë e qeverisjes së mirë, që ndihmon në bërjen e politikave më të mira dhe rrit besimin e qytetarëve në punën e institucioneve publike.
“Në kontekstin e përmbushjes së obligimeve nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit, konsultimet kuptimplota me publikun dhe pjesëmarrja e shoqërisë civile në bërjen e politikave, janë parakusht themelor për sigurimin e reformës efektive të administratës publike, por kanë po ashtu ndikim pozitiv edhe në qëndrueshmërinë e reformave në të gjitha fushat tjera”, ka thënë Apostolova.

Drejtoresha ekzekutive e Platformës CiviKos, Valdete Idrizi, tha se platforma online është e arritur edhe për vetë Civikos-in, që është angazhuar në avancimin e një mjedisi sa më të favorshëm në mes të shoqërisë civile dhe institucioneve të shtetit.

Ndërsa drejtoresha ekzekutive e KCSF-së, Venera Hajrullahu, përmendi vullnetin e vetë institucioneve për të hapur procesin e politikbërjes, por përmendi sfidat të cilat ende mbesin për t’u adresuar nga Qeveria.

Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës
Fotografia e Lidhja Demokratike e Kosovës