Kujtime në Ditën e Veres për Isuf Myzinin

20.03.2017 10:21:03

Nikolla Spathari

Një episod mallëngjyes me Isuf Myzyrin, autorin e famshëm të shumicës së këngëve qytetare të Elbasanit, e nënvizon në mënyrë të thjeshtë, por tepër madhështore modestinë e skajshme të këngëtarëve të vjetër.

Ishte viti 1955. Në mos gabohem vetëm një vit para se gjeniu i këngës popullore të Elbasanit të mbyllte sytë përgjithmonë duke i lënë popullit shpirtin e tij të madh në këngë. Një grup prej 4-5 shkodranësh shkonin për një çështje pune në Elbasan. Njëri nga ata, me të cilin kisha lidhje familjare, më mori edhe mua si fëmijë për të parë Elbasanin. “Për të parë botë me sy”, siç më tha ai. Meqenëse ishte verë, në mbrëmje, grupi ynë i vogël u ul në një bar-lulishte të vogël, të cilës tashti nuk i mbaj mend as emrin, as pozicionin ku ndodhej. Kur pija filloi të bënte të vetën, grupi ynë i vogël nisi këngën. Duhet thënë se është zor të gjesh shkodran që kur shtrohet tryeza nuk di të këndojë e të bëjë humor. Ndaj, më kujtohet, që atë natë të largët të viteve pesëdhjetë grupi ynë i vogël e bëri fora në Elbasan me këngë qytetare shkodrane. Një plak i hajthëm dhe i veshur në mënyrë karakteristike, që rrinte i vetëm në tryezën përballë, vura re se e shoqëronte këngën tonë me lëvizjet e trupit të tij të lodhur, por të shkathët. Ai më bëri me shenjë mua që e vështroja disi i hutuar. Ndofta ngaqë ngjyra e bardhë që mbizotëronte në veshjen e tij më ngjalli ndjenjën e qefinit. Unë iu afrova me frikë, por ai më ledhatoi me dorën e tij të rreshkur dhe më fali tri hudhra për t’ia dhuruar grupit. Dhurata kaq modeste e plakut zemërbardhë duket se e obligoi grupin që t’i linte njëherë këngët shkodrane dhe t’ia merrte elbasançe. Kënga “S’paske pasë një pikë mëshire” çau natën e Elbasanit dhe u përhap në sokakë. Se si më shkuan sytë tek plaku dhe, për çudinë time, pashë se po fshinte lotët.
– Ai po qan, – thashë unë, por të gjithë i kishte rrëmbyer kënga dhe
askush s’më dëgjoi.
Kur mbaroi kënga, plaku u çua i përlotur dhe erdhi për të na takuar gotat.
– Qofshi jetë gjatë! – uroi ai. – Nuk kam menduar se këngët e mia kanë arritur deri në Shkodër.
– Pse, kush jeni ju? – pyeti njëri nga grupi ynë.
– Kam qenë dikur Isuf Myzyri, sepse tashti, siç e shihni, pothuajse nuk jam – tha plaku dhe sytë iu përlotën përsëri.
Humori që bëri i afërmi im se po më merrte në Elbasan “ për të parë botë me sy “ tani, për mua, nuk është më humor. Unë vërtetë “ pashë botë me sy ”, sepse takova të madhin Isuf Myzyri, i cili në kujtesën time ka mbetur si një legjendë e bardhë. Por tjetër gjë desha të them me këtë episod të paharruar të njërës nga netët më të çmuara të jetës sime. Desha të them se as i madhi Isuf Myzyri nuk kishte menduar se këngët e tij mund të bëheshin të dashura deri në Shkodër.