Në derë trokiti Era

05.03.2019 13:26:31

Nga Mark Simoni

Kur mora dorëshkrimin e librit të Era Nil, ndjeva se në vargjet e saj të bukur, në gjendjet shpirtërore, në skutat e koshiencës së poetes, në vetëdijen e saj krijuese, dhe në intuitën e saj përzgjedhëse, në gjeografinë e pamatë të relievit të librit frynte shumë erë. Po, po, frynte shumë erë. Frynë një erë që të harlis leximin, të përkëdhel idetë, të shpalos letërsinë e kësaj poeteje, pikërisht me emrin Era. Era është pjesë e ndërgjegjes krijuese të kësaj autoreje të veçantë dhe shumë interesante, Dhe seç ka një lidhje mistike mes vargjeve dhe emrit të saj të stiluar krejt bukur, të kuruar me kujdesin e një artisteje të vërtetë.
Në poezinë “Era”, Pablo Neruda shkruan: “Do të të dërgoj një puthje me erën, / Dhe e di që do ta ndjeshë, / Do të doja të isha një re e bardhë në një qiell të pafund, / Për të ndjekur gjithëkund erën tënde, / E për të të dashur në çdo çast.“. Ndërsa nga Emili Dikinson më kujtohen vargjet: “Në derë trokiti era si një burrë i lodhur, / Dhe unë me mirësjellje “hyr” i thashë, / Dhe ai (ajo) shpejt hyri në dhomën time, / Mik pa këmbë, / Dhe zëri i tij ishte i lehtë, / Si fryma e pishave të buta të bregdetit…” Distanca mes lirikës së Nerudës dhe ekstravagancës moderne të Dikinsonit është jo e vogël. Diku në mes të kësaj ndarje është poetja Era Nil me “Erë”-n e saj, “të lehtë si pendë, / që fëshfërinë melodi ndër gjethe.”.
Era Nil e ka letërsinë aparat brenda vetes, të kultivuar dhe pjesë ndërgjegje. Ajo shkruan me një lehtësi të paparë vargje që shëndrisin, si një grusht smeraldësh që i hedh në një sipërfaqe fajance, për të përndritur çdo gjë përrreth, për të zgjuar ndjesi, gjendje, situata, brengë e mall, dashuri dhe trishtime,
Poezitë e ndjenjës janë një kolanë e tërë në këtë libër. Dashuri, gjendje të bukura e të lënduara, mërzi dhe hare, mall dhe brenga, tundime dhe frymë e gazmuar, ojna dashurishë dhe erosi të fshehtë, i japin tërë librit atë vibrimin e këndshëm të tundimeve dhe atmosferës plot lezet. Era Nil e shkruan me një përkujdesje mistiçiste këtë teme, e bën gjithë art e harmoni, e përpunon pafundësisht me një estetikë të rrallë.
Të shkruash poezi për ndjenjat është gjest hyjnor. Në një libër që kam marrë në Universitetin e Dubrovnikut, (Kroaci), mbaj mend të kemë lexuar për eksperimentet e Ekman-it, në dilemën universale, se, a janë ndjenjat të lindura, apo përkundrazi vijnë si rezultat i formimit edukativ gjatë jetës? Të gjithë e dimë që seria jonë e ndjenjave, sidomos atyre themelore, është universale dhe e përbotëshme. Pikërisht nga kurthi i dilemës shkencëtari Ekman shkoi deri në fise të izoluara, primitive dhe tribu, edhe vuri re se, gjestualiteti i tyre mbështetej në gjendjet emocionale që kishin, krejt i pakultivuar prej eksperiencash. Mendoj që autorët e mirë, që trajtojnë ndjenjat me shumë art e frymëzim, e kanë matricën e ndjenjës krejt të tyren, përsonale, substancë vetjake, mrekulli të brendshme. Në këtë fashë autorësh hyn dhe Era Nil, që na e shpërfaq këtë brendi të sajen me poezitë e shkruara aq bukur.
Deti i pamatë i temave të Era Nil është i mbushur tej e mbanë, si një mol i madh i flotës së varkave shumëngjyrëshe. Por dikund janë dhe faret që orientojnë dhe ndrisin rrugët e këtyre varkave. Kjo poete njeh mirë Ngjyrat, Shiun, Sytë, Erën, dhe me një vëzhgim të pashoq, punon me çdo detaj, njeh si një anatomiste trupin letrar të secilës prej tyre, ponon me zeje estetike në këto tema dhe terrene, stilon si me filigram çdo lakore, grafikë, emocion, edhe të Ngjyrës dhe pikturës, edhe të Shiut dhe natyrës, edhe të Syve dhe njeriut, edhe të Erës dhe lëvizjes e harlisjes së çdo gjëje. Ajo i hedh smeraldët që përndrisin vargje të tillë si: 

Të lundrosh me varkë në sytë e tu; Fjalët nuk flasin as fjalë të bardha; Toka me kurmin e saj të njomësht; Ti ishe prej shiu; Të marruar në atë botë hipnoze; Ç’të bëj me dhimbjen, ta marr e ta shpie diku, nën hijen e pemës së kalbur të mollës; I lexoj mbi kalldrëmet e portit të vjetër; Me vete kisha të djathtin sy, mbaja të veshur vetullën e majtë. Këto dhe dhe shumë vargje të tjera e bëjnë librin e Erës një habitat ku shija rrin mirë, leximi është i bukur, kënaqësia letare dhe estetike e kujtëdo është e këndëshme.
Një shi i bukur bie në poezitë e Era Nilit. Ajo shkruan dikund “Ti ishe prej shiu.” Apo në ca vargje të tjera: “Të linja shiun e zemrës, të njomte pallton e vjetër”. E talentuar kjo poete, sjell vargje dhe imazhe njëherësh, duke mbushur përfytyrimin tonë me skena të hijshme. Poeti i madh D’Annunzio ka një poezi me titullin “Shiu”. “Bjen shi nga retë e shpërndara, / Rreh shiu shkurret e kripura e të përzhitura të bregdetit, / Bie shi mbi fytyrat tona të argjendëta”. Tjetër lloji është shiu në poezinë “Në Çezena” të Morettit. Një shi i tërbuar, i ndryshkur, që bie në qyngjet e ndërtesave të vjetra.
Era Nil na e begaton letërsinë e vargut me shiun e saj, na e lagështit atmosferën poetike me pikat e shiut të saj, që njomin çdo gjë.
Nëpër libër diku është Pikaso, diku Modeliani, por kudo ndjehët afeksioni që ka autorja me ngjyrat, pikturën, nuancat, alkiminë e përzierjeve në spektër. Ajo arrinë artistikisht atje sa thotë për Ujvarën, “Ngjyrën e fijes së flokut të saj”. Koloriti në këtë libër lbyr e ngjyros çdo gjë, (jo si manierë), por si pjesë e shenjtë e shijes së Era Nilit.
Në këtë libër frynë shumë erë, bie shi i bukur, dashurohet hijshëm, vezullon prej mijra ngjyrash. Ky libër nuk është thjeshtë me poezi, por është Poezi.
(Shenim: Kjo eshte parathenia ime per kete liber, botuar nga Shtepia Botuese MUZGU)