Kujton kush se duke rrëzuar shtetin nuk do të funksionalizohen Dhomat e Posaçme?

05.11.2016 14:14:01

Nga Rexhep Kastrati

Në fillim u bë gjithçka që të bllokohej miratimi i ndryshimeve kushtetuese që do t’i hapnin rrugë miratimit të ligjit për Dhomat e Posaçme, madje një herë u bllokua, përkatësisht nuk u votua pro ndryshimeve të tilla. Dhe kjo ndodhi përkundër paralajmërimeve të qarta se nëse nuk do ta miratonte Kuvendi i Kosovës, do ta bënte KS i OKB-së, në bazë të Rezolutës 1244, me të cilën do të rimerrte rol drejtues UNMIK-u. Megjithatë, angazhimet për bllokimin e ndryshimeve kushtetuese për Dhomat e Posaçme ishin tepër të mëdha, si në rrafshin politiko-institucional, edhe në atë medietik. Bile edhe incidenti në Kumanovë, duket se është bërë që ta destabilizojë rajonin dhe të pamundësojë miratimin e ndryshimeve të nevojshme ksuhtetuese. Edhe kuvendarë të ndryshëm të PDK-së, pra të partisë që është pjesë e koalicionit qeverisës që ishte sponzor i ndryshimeve ksuhtetuese, dolën me deklarata shumë të qarta kundër. Miratimi i ndryshimeve në fjalë ndodhi vetëm herën e dtyë pas një trysnie shumë të fortë ndrëkombëtare, sidomos të aletatëve tanë në krye me SHBA-të.

Mirëpo, ky nuk ishte fundi i angazhimeve kundër Dhomave të Posaçme, pasi që tash u kalua në fazën tjetër: atë të destabilizimit të vendit, me qëllim që të pamundësohej funksionalizimi i tyre. Dhe kjo fazë u shqua me angazhime tepër agresive, të dhunshme  dhe me elemente terroriste, që si pretekst kishte marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi, dhe atë për Asociacionin, edhe pse të dyja ishin bërë gati më herët, qoftë me miratimin e ligjit për ratifikimin e marrëveshjes së 19 prillit 2013, e të cilën e kishte votuar edhe AAK, kurse Nisma nuk ekzistonte atëherë, edhe për faktin se si AAK, ashtu edhe Nisma aktuale ishin pjesë e porcesit që solli ato marrëveshje. Ishte e qartë se këto dy marrëveshje përbënin një bazë të mirë për manipulimin e opinionit. Karta e nacionalizimit që u luajt me këto dy marrëveshje, në fakt, është karta për të fshehur qëllimin e vërtetë, të cilin do ta pohojnë vetë dy partitë opozitare, AAK dhe Nisma, pas prishjes së asaj që u quajt opozitë e bashkuar: Vetëvendosje synonte të rrëzonte Republikën. Dhe rrëzimi i Republikës, do të thoshte rrëzimi i shtetit, e që është pikërisht ajo që do Serbia. Por bashkë me rrëzimin e shtetit, natyrisht do të mund të fillonin procese të tjera, të dëmshme, në rastin më të mirë do të rikthehej gjendja e parashpalljes së pavarësisë së Kosovës, pra do të rikthehej roli i UNMIK-ut, i cili do të merrte përsipër të kryente punët në funskion të Dhomave të Posaçme, por edhe pavarësisë së Kosovës, kurse në rastin më të keq, do të përfundonte me ndonjë luftë vëllavrasëse, dhe do të viheshin në zbatim skenarë ukrainas.

Tashmë kur koha e funskionalizimit të Dhomave të Posaçme po afrohet, pasi që edhe Holanda ka kryer procedurat ligjore për këtë, janë shfaqur dy veçori që nuk mund të injorohen: në vazhdën e angazhimeve për të destabilizuar vendin, në funksion të pengimit të funskionalizimit të Dhomave të Posaçme, Kadri Veseli po luan me kartën e zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse e di se nuk është rendi i tyre, dhe e di se përsëri nuk do mund ta marrë postin e kryeministrit, si dhe në anën tjetër, po dalin kuvendarë të PDK-së që po deklarohen aq lirshëm për gatishmërinë e tyre për të shkuar në Hagë nëse do t’u kërkohet, sikur të shkonin në Dubai. Kur bëhet fjalë për zgjedhjet, Kadri Veseli e di se nuk mund të jenë në rend derisa ka shumë punë të tjera për t’u kryer, një pjesë të të cilave do të jetë i shtrënguar fort që t’i kryejë deshi s’deshi. Po ashtu, Kadri Veseli e di se edhe po u mbajtën ato, me shumë gjasë do të përsëritet një koalicion si ky, dhe drejtimin e Qeverisë përsëri do ta ketë LDK. Është kështu për faktin se një koalicion PDK, AAK-Nisma me pakicat, nuk do të mund të funksiononte për shkak edhe të mungesës së numrave, por do të ishte edhe koalicion në të cilin përsëri kryeministër nuk do të ishte Kadri Veseli, por ta zëmë Ramush Haradinaj. Mundësia që AAK-Nisma të hyjnë në koalicion me PDK-në me kryeministër Kadri Veselin, do të rrëzonte të gjitha arsyet se përse po kundërshtohet koalicioni aktual, e për më tepër do të rrëzonte arsyet se përse u prish WLAN-i. Dhe ky është varianti që PDK të dalë parti e parë, kur edhe do të kishte të drejtën kushtetuese për të negociuar për koalicione qeverisëse. Por po ndodhi që skema politike të ndryshojë, pra që ndonjëra nga partitë opozitare të mos e kalojë pragun, apo që PDK të mos jetë parti e parë, atëherë mund të mos jetë as pjesë e Qeverisë. Kështu, që duke marrë parasysh të gjitha rrethanat, edhe po u mbajtën tash zgjedhjet, më i mundshëm do të ishte përsëritja e koalicionit aktual, me ç’rast, përsëri drejtimin e Qeverisë do ta kishte LDK. Dhe këtë e dinë edhe PDK, edhe partitë opozitare. Përrallat e përçarjes së LDK-së, mund t’i shohin vetëm kur të flejnë se në realitet nuk mund të përsëritet Kuvendi i VI – Kuvendi i karrigeve, sepse njerëzit që mund ta bëjnë këtë janë identifikuar dhe do të identifikohen edhe më tej. E vërteta është se askush nuk pret zgjedhje një herë, pavarësisht deklaratave politike që i bëjnë, dhe të gjthë e kanë të qartë se funksionalizimi i Dhomave të Posaçme do të ndodhë.

Në këtë kuptim, shlirshmëria e individëve të ndryshëm për t’iu përgjigjur ftesës apo akuzave që mund të ngrihen kundër tyre nga Dhomat e Posaçme, me idenë se këto janë vetëm deklarata verbale, pasi që shpresojnë se do të bien institucionet, përkatësisht do të mund të shpëtojnë pa u ballfaquar me akuza konkrete, mbetet të jetë një iluzion. Në anën tjetër, mundësia që të jenë bërë pazare që gjykimet të jenë formale, përsëri është pak e besueshme. Kjo për faktin se po të ishte kështu nuk do të kundërshtohej themelimi i Dhomave të Posaçme, nuk do të bëheshin gjithë ato angazhime për të penguar funsionalizimin e tyre, por do të ishin bërë burra për kokë, dhe trima e do të kishin votuar dhe do të prisnin në qetësi funskionalizimin e tyre. Por ata as trima nuk janë, as burrëri nuk kanë, prandaj edhe kanë bërë gjithçka për të mos u miratuar dhe për të mos u funksionalizuar ato Dhoma, pra edhe kanë provuar të mashtrojnë qytetarët për të përmbysur institucionet e vendit, pra për ta rrëzuar shtetin. Trimat dhe burrat kanë bërë luftën, qyqarët dhe frikacakët e kanë keqpërdorur atë dhe synuan ta rrëzojnë shtetin.